Futbollisti francez Teo Hernandez po ndodhet para një mundësie të madhe në karrierën e tij këtë verë. Ai ka marrë një ofertë të rëndësishme nga klubi saudit Al Hilal, që i ka propozuar një kontratë me vlerë të lartë financiare.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Al Hilal i ka ofruar Hernandez-it një pagë prej 18 milionë euro neto në sezon, shifër që është jashtë mundësive të shumicës së klubeve evropiane, përfshirë edhe Milanin. Klubi italian ka vendosur një limit të rreptë për pagat dhe po kërkon të menaxhojë buxhetin në mënyrë strikte.
Menaxheri i lojtarit është parë së fundmi duke biseduar me drejtorin sportiv të Milanit, Igli Tare, duke dhënë shenja se një largim mund të jetë në horizont. Performancat e fundit të Hernandez-it nuk kanë qenë në nivelin e pritur, ndaj ekziston mundësia që Milani të pranojë ta shesë nëse vjen oferta e duhur.
Kontrata aktuale e lojtarit me Milanin është e vlefshme deri në vitin 2026, por tashmë mund të hapet një kapitull i ri në karrierën e tij në Arabinë Saudite.