Shefi i forcave të armatosura të Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, ka ngritur shqetësimin se vendet e NATO-s mund të përballen me një kërcënim ushtarak të drejtpërdrejtë nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.
Në një intervistë për BBC, Breuer deklaroi se Moska po rrit ndjeshëm prodhimin ushtarak, me mbi 1,000 tanke dhe miliona municione që sipas tij nuk po përdoren vetëm për luftën në Ukrainë. Ai theksoi se një pjesë e këtyre armatimeve po ruhen për qëllime të tjera, përfshirë një mundësi sulmi ndaj shteteve anëtare të NATO-s në Balltik deri në vitin 2029.
“Ky është një kërcënim serioz që duhet marrë me përgjegjësi. Nuk kemi luksin të presim. Duhet të jemi të përgatitur tani,” tha gjenerali gjerman.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për unitet mes vendeve të NATO-s përballë sfidave të sigurisë, veçanërisht në dritën e qëndrimeve më të rezervuara nga disa shtete aleate.
Paralajmërimi i tij vjen pak javë para mbajtjes së samitit të NATO-s në Hagë, ku siguria e përbashkët dhe rritja e investimeve në mbrojtje pritet të jenë në qendër të diskutimeve.