Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se 70% e kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosur në afërsi të kufirit me Kosovën. Kjo deklaratë e tij kishte bërë bujë të madhe dhe Maqedonci ka dalë edhe me një sqarim, duke thënë se s’është diçka e re dhe se e ka thënë edhe më herët. Por edhe Albin Kurti i dha zë.
“Rritja e gatishmërisë dhe e pranisë në kufirin tonë e forcave të armatosura të Serbisë besojmë se është reaksion ndaj ‘Defender Europe 2025’.”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 29 maj 2025.
Por, në një përgjigje për Express nga KFOR-i kanë rrëzuar pretendimet për rritje të pranisë ushtarake serbe në afërsi me kufirin e Kosovës dhe kanë thënë se KFOR në vazhdimësi monitoron aktivitetet përgjatë vijës kufitare me Serbinë, dhe se s’kanë vërejtur dhe as nuk janë njoftuar për ndryshime të rëndësishme të kohëve të fundit të pranisë së forcave të armatosura të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.