Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi pas takimit të mbajtur të hënën në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen u shpreh se ishte parashikuar që sot të mbahej një takim trelateral, por ekipi i Serbisë ka hasur në vonesa për arritjen në Bruksel.
“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, është shprehur ai.
Bislimi tha se në këtë takim të parë me Sorensenin, i ka treguar qasjen që do ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve që do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve apo edhe në takimet e larta që do të udhëhiqen nga Kaja Kallas.