Takimi i dytë midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës pritet të mbahet sot në Stamboll, ku të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Delegacioni rus ka nisur udhëtimin drejt Turqisë, ndërsa Ukraina po ashtu ka njoftuar se do të jetë pjesë e këtij takimi, i cili është propozim i palës ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka informuar përmes një postimi në Telegram se ka diskutuar me ekipin e tij qëndrimet dhe objektivat para nisjes për në bisedime. Ai ka theksuar se qëllimet kryesore të Ukrainës mbeten të pandryshuara: arritja e një armëpushimi pa kushte dhe menjëherë, lirimi i të burgosurve dhe kthimi në atdhe i fëmijëve që sipas Kievit janë dërguar në Rusi kundër dëshirës së tyre.
Delegacioni ukrainas do të udhëhiqet përsëri nga Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili mori pjesë edhe në raundin e parë të bisedimeve që u mbajt në maj.
Zelensky ka theksuar gjithashtu nevojën për një takim në nivel të lartë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.