Në një ceremoni të mbushur me dhimbje dhe ngushëllime, komuniteti i Kishës Ortodokse, familjarë dhe miq i dhanë sot lamtumirën e fundit priftit të respektuar Kristaq Viso. Për dekada, ai shërbeu me përkushtim ndaj Zotit dhe njerëzve, duke qenë një figurë e dashur për besimtarët.
Kryepeshkopi Joan Pelushi e përshkroi Atë Kristaqin si një punëtor të palodhur dhe nënvizoi shpresën e besimit në jetën e përjetshme, duke kujtuar fjalët e Shën Pavlit për ngjalljen dhe jetën pas vdekjes.
Miku dhe bashkëshërbestari i tij, Atë Kristaq Mërtiri, tregoi për rrethanat tragjike të ndarjes nga jeta. Prifti ra nga çatia e kishës së Shën Triadhës, ndërsa po ndihmonte në përgatitjen e materialeve për restaurimin e Manastirit të Çifligut.
“Kristaqi ishte një njeri shembullor, i përkushtuar dhe shumë energjik, që qëndronte pranë njerëzve në çdo moment,” tha Atë Mërtiri, duke theksuar punën e tij të palodhur për komunitetin.
Prifti Kristaq Viso ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm në spitalin e Tiranës, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme shpirti dhe përkushtimi ndaj besimit dhe njerëzve.