Në qytetin gjerman të Këlnit po zhvillohet një evakuim masiv, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, për shkak të zbulimit të tri bombave të pashpërthyera të hedhura nga forcat aleate rreth 80 vjet më parë. Rreth 20,000 banorë dhe punonjës po detyrohen të largohen nga shtëpitë, bizneset dhe institucionet e tyre, ndërsa evakuimi prek edhe spitalet, shkollat, kopshte, muze dhe pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së qytetit, përfshirë edhe tre ura kryesore mbi lumin Rajn.
Për të garantuar sigurinë, trafiku hekurudhor është pezulluar ose devijuar, ndërsa shërbimet e transportit publik, si tramvajet, janë ndërprerë. Edhe transmetuesi lokal RTL ka zhvendosur transmetimet e tij në Berlin, pasi ndodhet brenda zonës së evakuimit.
Bombat, të prodhuara në SHBA dhe me peshë prej 10 dhe 20 tonësh, janë zbuluar gjatë punimeve ndërtimore pranë fabrikës së anijeve Deutz, në bregun e djathtë të lumit Rajn. Ato janë të pajisura me fitilë impakti, që rrisin rrezikun e shpërthimit në kontakt me sipërfaqe të forta.
Ky zbulim rikthen në vëmendje pasojat e luftës, pasi Këlni ishte një nga qytetet më të bombarduara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çaktivizimi i bombave është planifikuar për të mërkurën në mëngjes, ndërsa autoritetet po punojnë me kujdes për të siguruar një proces të sigurt dhe të organizuar evakuimi.