Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke zbuluar më shumë detaje për lidhjen me grupin kriminal të Laert Haxhiut.
Tafani ka treguar se e ka njohur Laert Haxhiun fillimisht përmes lajmeve, ndërsa takimi i parë ka ndodhur në Dajt. “U takuam në një restorant në Dajt, ku Laerti më mori jashtë për të biseduar. Atë natë qëndruam atje dhe më pas më dha disa para. Ai më tha se do të ndihmoj unë me ndonjë mall,” – ka rrëfyer Tafani.
Ai shtoi se më pas, gjatë një takimi tjetër, Laerti dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin dërguar në Lushnjë për të vendosur një tritol si formë presioni ndaj një personi që nuk kishte paguar. “Më thanë të vendosja një tritol në Lushnjë. Kjo ishte për të bërë presion për të marrë pagesën. Unë e pranova dhe e vendosa siç ishte planifikuar,” ka treguar ai.
Tafani ka përshkruar detajet e vendosjes së tritolit, duke theksuar se planin e kishte bërë në bashkëpunim me Laertin. “E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa në derën e një banese, në katin e parë të një pallati,” – tha ai.
Dëshmia e Artan Tafanit vazhdon të ofrojë informacione të rëndësishme për hetimin e grupit të Laert Haxhiut.