I penduari i drejtësisë, Artan Tafani në seancën e sotme ka treguar planet për vrasjen e avokatit Adriatik Gurit dhe përgatitjet për eleminimin e Elton Mermalit.
Tafani ka rrëfyer se kishte marrë një banesë me qira në Lushnjë me urdhër të Laert Haxhiut me qëllim përgatitjen e atentatit ndaj avokatit Guri.
“Mora shtëpi me qira në Lushnje, do vrisnim avokatin Adriatik Guri. E ruaja unë avokatin, ndërkohë unë e kam kushëri. Donte ta vriste Laerti, se sipas Laertit, ky ndihmonte hasmin e tij. Këta kishin kodin e kamerave të policisë, më ruanin edhe mua,”, dëshmoi Tafani.
Ai shtoi se “Lulzimi Arapi erdhi tek shtëpia, solli një pistoletë tip CZ me dy silenciatorë. Vazhduam ruanim avokatin. I rrija aty te lokali ku vinte avokati, por unë i thashë se nuk e bëj dot, se e kam kushëri. E lamë që do e bënte Lulzimi”.
Sipas dëshmisë atentati dështoi në momentet e fundit për shkak të ndërhyrjes së një banori të zonës, i cili vuri re sjelljen e dyshimtë të Arapit.
“Një natë na iku ai. Unë i përshëndeta nga frika, jo për lek. Tha ai: ‘Do bëhet’, e kishte fjalën Laerti. Lulzimi ishte gati ta gjuante, ishim tek hyrja e pallatit duke pritur. Në një moment e dalloi një komshi aty, i tha: ‘Ç’a bën?’… fati i avokatit, e shpëtoi Zoti,”- tregoi Tafani.
Pas këtij dështimi, Laerti Haxhiu anuloi urdhrin për atentatin ndaj avokatit dhe vazhdoi të japë udhëzime nga Greqia, ku sipas Tafanit, kalonte me ndihmën e një personi nga Saranda.
“Pastaj Lulzimi më tha: Do ikim në Sarandë. Kuptova që do vinte Laerti. Një sarandiot e ndihmonte të kalonte nëpër dogana nga kufiri tokësor. E pritëm Laertin dhe shkuam në Tiranë, prapë tek hoteli në Astir.”
Në vijim të dëshmisë, Tafani tha se pas Tiranës, udhëtuan drejt Pogradecit, ku qëndruan në vilën e Mariglen Topuzit. Aty, Laerti kishte shpallur një tjetër objektiv për eliminim: Elton Mermalin.
“Pastaj ikëm në Pogradec, kemi fjetur tek vila e Mariglen Topuzit, hëngrëm krudo. Por një natë para, Laerti kishte thënë: ‘Më sillni Elton Mermalin se do e vras’.”