Ditën e sotme, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve mbajti mbledhjen e radhës për qarkun e Durrësit, ku kërkohet pavlefshmëri e rezultatit të votave.
Kandidati demokrat Aulon Kalaja pretendon se i janë vjedhur votat preferenciale dhe sot nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor dorëzoi pamjet filmike të marra nga KQZ. Kalaja pretendon jo vetëm devijim votash të tij edhe të 13 kandidatëve të tjerë.
“Në një rast kemi evidentuar se në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani.
Në KZAZ nr. 21, qv 1361, tavolina 1, kemi konstatuar nga leximi që i është bërë tabela nuk përputhet me proces-verbalin, ka lëvizuar vota, 4 fletë votimi për Aulon Kalanë, në procesverbal janë pasqyruar 2 vota, për kandidatin Hoxha 3 vota nga leximi në pamje, në proces-verbal 2 vota, për kandidatin Ndoja në ekran 20 vota, në tabelë, proces verbal 25 vota. Kandidatit ndoja i shtohen vota dhe në një qendër tjetër, nga 12 në ekran, në proces-verbal 15 vota”, tha përfaqësuesi.
KAS kërkoi më shumë prova konkrete në lidhje me shifrat dhe trendin që konfirmonte ndryshimin rezultati. Gjithashtu KAS ka shtyrë mbledhjen për më vonë pasi të shqyrtonte edhe provat e dorëzuara.