I penduari i drejtësisë Artan Tafani vijon dëshminë e tij në GJKKO duke zbardhur së sërë ngjarjesh kriminale. Më 20 prill 2022 Kujtim Meta, 44 vjeç mbeti i plagosur me armë teksa ishte duke pirë kafe brenda një lokali në Lushnjë. Një person i maskuar me syze të errëta e me kapuç në kokë hyri brenda dhe qëlloi me pistoletë me silenciator.
Artan Tafani tregon se Kujtim Meta kishte rrahur me grushte babain e Laert Haxhiut, prandaj u vendos të vritej. Sipas planit të Laert Haxhiut, ekzekutori do ishte pikërisht Artan Tafani. Ky i fundit ka sqaruar me detaje si ndodhi atentati i dështuar.
“E kishte hapur si muhabet babai i Laertit. Edhe tha ta vrisnim. E kishte rrahur me grushte babin e Laertit. Kërkonte ta vriste me thikë se po të ishte me plumb, do kuptohej që e kishte bërë Laerti.
Kishte ardhur Dorian Shurdhi, një i njohur jonë, shoku i Laertit nga Belgjika. Doriani ruante makinën dhe komunikonte me Laertin. Laerti e kishte bërë planin, do shkoja unë ta godisja.
Do vinte Lulzimi me makinë nga Tirana, te Palma Nova, që të bënim punën e të niseshim për Tiranë. Por nuk e bëmë dot. S’e bëmë se nuk donte Dorian Shurdhi. Doriani e dinte që i shkonin direkt te shpia. E shante Laertin, Dorianin. Thoshte do na kalbë në burg.
E provuam prapë. Kishim armë zastava që na e kishte dhënë Bledar Berberi për të vrarë Albi Bashaliun.
Kujtimi, ishte ulur në një lokal, ngjitur me banakun përballë. Qëllova me armë drejt tij. Sapo godas unë, ky hidhet nga karrigia. Pastaj e qëllova prapë. 8 fishekë që kisha, i qëllova. Ky duke ikur nëpër çimento, unë e qëlloja, sa më mbaruan fishekët.
E gjuajta dhe nga mbrapa. Mbaruan fishekët, ika unë. U mundova ta shënjëstroj. Mesa dëgjova në lajme e kishte kapur në bark. Ika që aty, kalova shinat e trenit në këmbë. Aty mbrapa më priste Lulzimi” tha ai.