Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali gjatë samitit “Ukrainë-Europa Juglindore” përcolli një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje për Ukrainën.
Spiropali u shpreh se Shqipëria qëndron pa kushte në krah të Ukrainës, në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe aspiratave evropiane të saj.
“Ne kemi mbështetur Ukrainën përmes ndihmës humanitare, miratimit të sanksioneve dhe avokimit të zëshëm për rrugëtimin e saj evropian. Ne besojmë se Ukraina i përket Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojmë të jemi një zë i fuqishëm për integrimin e saj”, u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se kjo nuk është thjesht një deklaratë, por një premtim afatgjatë për mbështetje konkrete.
“Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës, sot, nesër dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Lufta juaj është edhe lufta jonë, shpresa juaj është edhe shpresa jonë, e ardhmja juaj është e ardhmja jonë e përbashkët.”, tha Spiropali.