Irani paralajmëroi të mërkurën se do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme në rast përshkallëzimi të konfliktit, ndërsa presidenti Donald Trump shprehu më pak optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin.
Zyrtarët amerikanë po reduktojnë stafin në ambasadën në Irak për shkak të shqetësimeve të sigurisë, ndërsa marina britanike paralajmëroi anijet për kujdes gjatë kalimit në Gjirin Persik.
Që nga prilli, SHBA dhe Irani kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh për një marrëveshje të re bërthamore që do të zëvendësojë atë të vitit 2015, të cilën SHBA-ja e braktisi në 2018. Trump ka rikthyer politikën e “presionit maksimal” ndaj Iranit dhe ka paralajmëruar veprime ushtarake nëse bisedimet dështojnë.
Ministri iranian i Mbrojtjes theksoi se bazat amerikane janë brenda mundësive të Teheranit dhe do të shënjestrohen në rast nevoje, por shpreson që bisedimet të kenë sukses dhe konflikti të shmanget.
Çështja kryesore mbetet pasurimi i uraniumit, i cili shihet si vijë e kuqe nga SHBA-ja, ndërsa Irani e mbështet si të drejtë të tij sovrane.
Në një intervistë të fundit, Trump tha se tani është më pak i bindur për një marrëveshje të mundshme me Iranin.









