Për shkak të përshkallëzimit të luftimeve mes Iranit dhe Izraelit, shumë shtete po marrin masa për mbrojtjen e qytetarëve të tyre që ndodhen në këto vende. Disa po punojnë për evakuim, ndërsa të tjera po u rekomandojnë qytetarëve të strehohen dhe të shmangin lëvizjet.
Në Teheran, të martën u raportuan kolona qytetarësh që po largoheshin nga kryeqyteti. Ndërkohë, është dita e pestë që Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme ajrore pa sinjale për përfundim të shpejtë të përplasjes.
SHBA ka kërkuar nga zyrtarët dhe familjarët e tyre në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gazë të strehohen afër rezidencave. Në Iran, qytetarët amerikanë janë paralajmëruar të përgatiten për strehim afatgjatë, për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike.
Australia ka regjistruar rreth 650 qytetarë për evakuim nga Irani dhe 600 nga Izraeli. Ministrja e Jashtme Penny Wong tha se ndihma do të jepet kur të sigurohet mjedisi për largim.
India ka filluar evakuimin e studentëve nga Irani përmes Armenisë, ndërsa Pakistani raportoi se qindra qytetarë dhe studentë janë larguar nga Teherani. Pakistani ka ndaluar përkohësisht udhëtimet drejt Iranit.
Edhe Kosova, më 13 qershor, u bëri thirrje qytetarëve të saj në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.