Sot, pas nisjes së provimit të Matematikës për Maturën Shtetërore, është publikuar në rrjete teza e provimit, gjë që ka sjellë reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Sipas njoftimit, në të gjitha qendrat e provimit janë zbatuar masat e sigurisë të parashikuara në rregullore, dhe provimi po zhvillohet në kushte të qeta dhe të kontrolluara.
“Provimi i Matematikës po zhvillohet sipas protokolleve të përcaktuara dhe publikimi i materialit pas nisjes së testimit nuk ndikon në integritetin e procesit,” thuhet në deklaratë.
Ministria thekson se janë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces të rregullt: përfshirë kamerat e sigurisë në sallat e provimit, trajnimin e stafit, kontrollet në hyrje dhe dalje, si dhe krijimin e kushteve që ndihmojnë maturantët të përqendrohen pa stres.