Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca dhe Erion Alibej po jep dëshminë e tij në lidhje me vrasjen e Bujar Çelos, vëllait të Talo Çelës. Alibej ka dëshmuar se Xhuliano Hoxhën e kishte si informator në këtë ngjarje.
Mirëpo nuk kanë munguar ironizimet mes të akuzuarve në dosjen “Plumbi i artë”. Xhuliano Hoxha ka ironizuar Alibej duke e quajtur Tommaso Buscetta, i cili u bë i penduar i drejtësisë italiane duke zbuluar anëtarë të lartë të mafias siçiliane.
Erion Alibej: Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës. Njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Celës. E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.
Xhuliano Hoxha reagon nga kafazi: Ku e di ti ku isha unë, o Tommaso Buscetta?
Erion Alibej: Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit. Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tasos dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt. U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar.