Para pak ditësh gazeta “Panorama” botoi një shkrim z.Uran Butka ku përshkruheshin me hollësi ndjekjet e persekutimet e Familjeve të Mëdha apo elitave (siç duan ti quajnë disa studiues e politikanë). Pa hy në analizë të atyre që shkruan ai, tërhiqte vëmendjen veçanërisht konkluzioni i tij, se shoqëria e sotme është “e deformuar” sepse:
“…u goditën për vdekje familjet fisnike e trashëgimtarët e tyre, për ti hapur rrugë kastës së njerëzve të nënshtruar, sejmenë e xhahilë…” dhe më poshtë vazhdon:
“Deformimi moral i jetës së sotme shqiptare vjen nga goditja e braktisja që ju bë sistemit tradicional të vlerave njerëzore, por edhe nga përpjekja e sotme për të bërë të mundur gradualisht një sistem të përbashkët vlerash që kanë të bëjnë me humanizmin, tolerancën, altruizmin, etiken morale, bashkëpunimin, konkurrencën e ndershme, korrektesën kundrejt shtetit të së drejtës etj. veti aq të spikatura të personaliteteve dhe familjeve të mëdha”.
Kështu, sipas z.Butka, deformimi i jetës së sotme shqiptare, ka ardhur sepse u goditën e Familjet e Mëdha apo të ashtuquajturat elita shqiptare që paskan “mbajtur gjallë e trashëguar vlerat njerëzore të shoqërisë tonë…”
Z.Butka duket harron ose nuk e di se shumë nga këto cilësi që ai ua atribuon vetëm Familjeve të Mëdha, kanë qenë mënyrë jetese e popullit, pasqyruar qartë në zakonet e traditat tona. Mikpritja, besa, nderi, morali, besnikëria, humanizmi, bujaria, marredheniet ndërfetare dhe të fqinjësisë së mirë, respekti për të moshuarit, për familjen, për fisin etj. kanë qenë pjesë e jetës së njerëzve të thjeshtë, e popullit tonë. Mjafton të lexosh kanunet e krahinave të ndryshme, duke filluar nga kanuni i Lek Dukagjinit….
Para pak ditësh, gjatë fushatës për zgjedhje për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Tomorr Alizoti bëri deklarata të pa dëgjuara askund. Duket e pabesueshme që një njeri që e mban veten me kulturë e madje ish diplomat, të deklaronte:
“Juve do t’ju hamë të gjallë. Ju maskarenj, do t’ju hamë të gjallë”, pra të gjithë votuesit e partisë rivale, apo të partive që nuk janë në koalicion me të, sipas tij qenkan “maskarenj”….
Pak ditë më vonë, në përgjigje të një etiketimi të Edi Ramës për të…. ai deklaroi: “Ti Edvin Kristaq Rama do të mbetesh një delenxhi, sepse i tillë ke lindur. Ti je pasardhës i gjysmë Opingës, dhe do te mbetesh gjithmonë i tillë..”. Kështu që ai nuk e kishte vetëm me kundërshtarët politikë, por me “Opingën”, me shumicën dërmuese të shqiptarëve….
Për dijeni të lexuesit që nuk e di (veçanërisht të rinjve) shtresat e pasura, Familjet e Mëdha, “Opingë” quanin shtresën e varfër të popullsisë, vegjëlinë….
Pa dashur të bëj krahasime, në qoftë se Edi Rama është gjysmë “Opinge”, Kryetari i Partisë së tij, Sali Berisha është “Opingë”, (për bejlerët e Familjet e Mëdha, ne, qindra mijëra që erdhëm nga fshati apo malësitë e thella jemi “Opinga”). Edi Rama, i ka pas prindërit me shkollë, me kulturë, prandaj është gjysmë “Opinge”, ndërsa Sali Berisha (dhe ne të tjerët) që i kemi pas prindërit analfabetë, kemi mbetur “Opinga”. Në qoftë se Tomorr Alizoti i quan gjysmë “Opinge” apo “Opingë”, këta që kanë drejtuar Shqipërinë për shumë vite, z.Butka i quan njerëz “të nënshtruar, sejmenë e xhahilë”…..
Pavarësisht nga gabimet, fajet e krimet e bëra këto tetëdhjetë vite, që nga çlirimi i vendit nga pushtuesit nazifashistë, Shqipëria, sipas tyre, qenka drejtuar, në të gjitha fushat nga gjysmë “Opinga” apo “Opinga”, nga njerëz “të nënshtruar, sejmenë apo xhahilë” dhe fatkeqësia e Shqipërisë qenka se janë zhdukur Familjet e Mëdha ….
Në disa shkrime, studime e libra të viteve të fundit, Familjet e Mëdha quhen dhe elitat e kombit.
Pa dashur të mohojmë rolin e elitave tona (të vërteta) dhe punën e madhe që ato kanë bërë për ketë Shqipëri që kemi sot, duke i njohur dhe vlerësuar në shkallën më të lartë (kujtojmë Rilindësit tanë, ata që krijuan Shtetin Shqiptar, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin etj. korifenjtë e letërsisë Naim Frashëri, Patër Gjergj Fishta etj. dhe figura të shquara në fusha të tjera të jetës). Është e vërtetë se për vetë kushtet historiko-shoqërore dhe zhvillimet në vendin tonë, Familjet e Mëdha apo elitat kanë luajtur rol të rëndësishëm, por problemi shtrohet çfarë roli ka luajtur dhe në cilat periudha….
Nga botimet e viteve të fundit, në mediet tona përmenden disa nga Familjet e Mëdha apo elitat dhe konkretisht: Vrionët e Beratit, Biçakçinjtë e Elbasanit, Zogollët e Matit, Verlacët e Elbasanit, Bushatlinjtë e Shkodrës, Kelcyrat e Kelcyrës, Markagjonët e Mirditës, Cakranët e Mallakastrës, Alizotët e Gjirokastrës, Ypët e Kolonjës etj. Në shkrimin e tij, z.Butka përmendë edhe disa familje te tjera, kryesisht familje, pinjollë të të cilave kanë qenë eksponentët të Ballit Kombëtar si Ermenji, Lepenica, Muço, Quku, Kazazi, Cakrani apo të Legalitetit si Kupi, Çoba etj.
Pa u zgjatur me ato që na ka mësuar historia, se si disa nga këto Familjet e Mëdha apo elita janë vënë në shërbim të pushtuesve osmanë dhe me ndihmën e tyre kanë bërë emër, pasuri e disa zona janë kthyer në sundimtarë. ….do ti referohem zhvillimeve në periudhën e mbretërisë dhe të pushtimit nazifashist, dhe rolin e Familjeve të Mëdha, duke u bazuar në ato që kanë shkruar të huajt për atë periudhë, në dokumentet zyrtare etj.
Jakub Karaosmanogllu, politikan dhe shkrimtar i njohur turk, që për rreth njëzet vjet ka qenë Ambasador i Turqisë në disa vende të Europës, përfshijë Shqipërinë në vitet 1934-1935, në librin me kujtime “Diplomat pa dëshirë”, Shqipërisë i ka kushtuar një kapitull, ku flet për Familjet e Mëdha dhe elitat shqiptare të asaj kohe. Ndërmjet tjerave ai shkruan:
“Një herë më bëri vizitë një deputet i Parlamentit të Shqipërisë…dhe pa pikë turpi më tha: “Lartmadhëria Juaj, zoti Ambasador, në mes nesh nuk ka asnjë që të mos shitet”. Mua më erdhi turp, por ai pa u skuqur vazhdoi: “Disa prej nesh i shërbejnë serbëve, ndërsa të tjerët janë robër të italianëve. Cila palë paguan më shumë, aty edhe pajtohemi. Por tani ka ikur koha e ankandeve. Të gjithë ne, që nga Mbreti tek tetari i xhandarmerisë jemi në dispozicion të makaronaxhinjëve….. E keni parë? Këtu ndodhet një italian i ri. Ai është i kudondodhur, megjithëse nuk është punonjës i ambasadës: ai është fashist…..Ky pusht nuk i shmanget asnjë fustani, biri i kurvës….Mos më detyroni të flas më shumë për të” – përfundoi deputeti.
Mbas disa kohësh, unë e pashë vetë se çfarë suksesi kishte në rrethet e shoqërisë së lartë dhe në shtëpitë e disa aristokratëve ky i ri italian, për të cilin më foli deputeti. Gratë më elegante dhe më të bukura i vinin rrotull dhe ai, në prani të të gjithëve u fuste duart…gratë dhe vajzat ai i lejonte ta thërrisnin me emra përkëdhelës, me theks italian….Nuk do të ishte e drejtë të thuash se dashuria për Italinë kishte pushtuar vetëm gratë e shoqërisë së lartë. Burrat e tyre, madje dhe baballarët e tyre, pavarësisht se shumica e tyre ishin arsimuar në shkollat tona dhe dikur zinin poste të larta në aparatin e Perandorisë Osmane, nëpërmjet zbukurimit të mbiemrave, na tregonin qartë sa i ishin përshtatur kësaj kulture: “Libohova”, “Virioni”, “Verlaçi” dhe të tjerë. Veçanërisht Alizhoti nuk pushonte së lavdëruari se ai ishte pasardhës i një familje të vjetër italiane….
Budallenj” të tillë mund të takoje sa të doje, në radhët e përfaqësuesve të shoqërisë së lartë të Shqipërisë…”
Kështu shkruante ai për Familjet e Mëdha apo elitat tona në librin e tij që është përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë të botës…
Por krejtësisht ndryshe shkruan ai për Shqipërinë dhe shqiptarët: “Shqipëria është një vend i bukur, dhe populli i saj është popull fisnik”.
Por ato që shkruante turku për Familjet e Mëdha apo elitat u duken shumë qartë mbas pak vitesh, në prag të 7 prillit 1939 dhe gjatë pushtimit nazifashist……I pari që ja mbathi jashtë Shqipërisë, mbasi mbushi valixhet e sepetet ishte përfaqësuesi i Familjes së Zogollëve, ish Mbreti Zog, që sikur ti shpallte luftë Italisë dhe të zbrazte pesë pushkë, ngjarjet do të ishin zhvilluar ndryshe për të e për Shqipërinë…. Prandaj, sepse veproi ashtu, nuk e trajtuan dhe nuk e priten si Mbret, por si një refugjat të zakonshëm…Siç dihet, me të, apo në rrugë tjera u arratisën edhe përfaqësues të disa prej Familjeve të Mëdha.
Për turpin e tyre disa pinjollë të këtyre Familjeve të Mëdha, që qëndronin jashtë Shqipërisë si antizogistë, më 7 prill erdhën në Shqipëri si “fitimtarë”, bashkë me pushtuesit italianë……
Por shumë prej atyre që nuk u arratisën jashtë vendit u vunë menjëherë në shërbim të pushtuesit italian. Mjafton një shembull. Dy përfaqësues të këtyre Familjeve të Mëdha, Xhafer Ypi dhe Shefqet Verlaçi (tashmë me mbiemër të italianizuar, siç e quante me ironi ambasadori turk) ju futën punës për të organizuar Asamblenë Kushtetuese që u mblodh më 12 prill. Duket e pa besueshme sot, por shumica dërmuese e deputetëve të Parlamentit të vitit 1937 (kryesisht përfaqësues të Familjeve të Mëdha) u kthyen në asamblistë dhe krijuan Asamblenë Kushtetuese që vendosi të shpallë “rrëzimin e regjimit mbretëror dhe të abrogojnë Kushtetutën e vitit 1928” (disa prej tyre e kishin aprovuar në atë kohë…) dhe kryesorja “të bashkojnë për jetë fatet e Shqipërisë me ato të Italisë dhe ti çojnë Kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit”. Kështu nga 9 deputetë të Prefekturës së Beratit, 7 prej tyre u kthyen në asamblistë, nga 7 deputetë të Prefekturës së Elbasanit, 6 prej tyre u kthyen në asamblistë, të 3 deputetët e Prefekturës së Vlorës u kthyen në asamblistë, nga 8 deputetë të Prefekturës së Shkodrës, 7 prej tyre u kthyen në Asamblistë, e kështu me radhë deputetët e të gjitha prefekturave…..Një ndër aktet më të turpshme në historinë tonë është dorëzimi i Kurorës së Skënderbeut Viktor Emanuelit, dhe bashkimi “vullnetar” i Shqipërisë me Italinë, dhe këtë e bënë pikërisht përfaqësues të Familjeve të Mëdha. Mjafton të lexoni fjalimin e Shefqet Verlacit mbajtur në Romë me këtë rast….
Po të hapni dokumentet që tregojnë përbërjen e të ashtuquajturave Qeveri Shqiptare gjatë pushtimit nazifashist, shumica e tyre kryesoheshin nga përfaqësues të këtyre Familjeve të Mëdha ….. që nga Xhafer Ypi, Shefqet Verlaci, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Fiqiri Dine etj.
Disa nga përfaqësuesit e këtyre familjeve apo elitave, që nuk u vunë që në fillim haptazi në shërbim të pushtuesve italianë, si Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Nuredin vlora, Hasan Dosti etj. i shërbyen në mënyra të tjera pushtuesit….. Është folur e shkruar shumë herë për rolin e Ballit Kombëtar gjatë kohës së Luftës Dytë Botërore, bashkëpunimin me pushtuesit italianë e veçanërisht me ata gjermanë. Janë botuar me qindra dokumente e fakte shqiptare e të huaja që vërtetojnë këtë bashkëpunim, por unë do u referohem dy ish ministrave të kohës së pushtimit nazifashist, Ernest Koliqit dhe Kol Bib Mirakajt, që kanë shkruar për Ballin Kombëtar. Në letrën që Ernest Koliqi i drejtonte Karl Gurakuqit, më 18.7.1952, ndërmjet tjerave i shkruante:
“I shpallim botës se jemi kenë fashista. Po kush e ka mohue. Përmendin Shefqet Verlacin se i biri bashkëpunonte me ne. Mos të qëndronte me ne, do ta zgjidhnin edhe atë fajesh si Mustafa Krujën që ju përul Zogut., Hasan Dostin se u nënshkrue me Ballin, si njëqind të tjerë që u kertylën në kohën e Italisë dhe sot i bien mohit…Të gjithë kanë veshë devizë fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë deri në ditën e fundit. Asnjani nuk dha dorëhjekje. Patriotizmi i tyne fillon kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri atëherë na u lëbyrshin e na duartrokisnin…”.
Ndërsa ish ministri i asaj kohe, Kol Bib Mirakaj, në vitin 1967 i shkruante Abaz Ermenjit:
“Keni kalue në anën tjetër kur Boshtit filloi me i rrjedhë kazani, kur u pa se kazani po shterrej, me mujtë me e nxjerrë veten puritanë, filluet ta ndani kombin në fashista e kolaboracionista, në patriotë e tradhtarë, tue e cilësue veten superpatriotë…Na queni ne kolaboracionista me të huejtë, me okupatorin, as e kemi mohue, as kemi ndermend të fshihemi, siç po bajnë disa prej jush se gjoja kishit “bekimin” e Mit’hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”. Ne nuk e mohojmë bashkëpunimin tonë me Italinë Fashiste, për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin. Por asnjë prej jush mos e mohoni bashkëpunimin tuej. Edhe ju bashkëpunuet me të huejin, madje jeni mburrë me atë bashkëpunim, pra kolaboracionista kemi kenë të dy palët”.
Po ky Kol Bib Mirakuj në librin e tij “Vetëvrasja e një kombi” ( botuar në vitin 2013) ndërmjet tjerave shkruan për Ballin Kombëtar:
“Po kanë ba disa aksione sporadike me ndonjë grup ushtarësh italianë të mbetun të izoluem, sidomos mbas korrikut 1943, kur Musolini ishte burgosë, pra kur fashizmi kishte ra edhe në Itali. Dhe dalja e Italisë së shpejti nga lufta shifej si fakt i pa evitueshëm. Atëherë po, disa prej tyne kapën pushkën e me pizhame e pantofle na dolën ilegalë kundër fashizmit që nuk ekzistonte ma”.
Z.Butka përmendë Jup Kazazin, si përfaqësues i një Familje të Madhe dhe drejtues i Ballit Kombëtar. Vërtetë ai rridhte nga një familje me emër të mirë, mikpritëse e bujare, por që me pushtimin Shqipërisë u vu në shërbim të pushtuesve italianë. Në qershor 1939 ai u zgjodh Anëtar i Këshillit të Epërm Koorporativ dhe u emërua Federal në Vlorë, më vonë Federal në Durrës. Në vitet 1941-1942 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Fashiste dhe sipas statutit të kësaj partie, Sekretari ishte Ministër-Sekretar, ishte Jerarku Suprem, anëtar i Këshillit të Ministrave dhe në rast mungese, ai zëvendësonte Kryeministrin. Sipas dokumenteve italiane (borderove) ai është paguar nga Italia Fashiste deri në fund të korrikut 1943…. Ashtu siç shkruan Kol Bib Mirakuj, kur ai e pa se Italia Fashiste ishte në grahmat e fundit, siç thotë populli, kur e pa se “po ngordhte kali, ai vrapoi ti heqë patkonjtë” dhe së bashku më 7-8 vetë, në fund të muajit gusht, doli malit “me pantofla e bizhama” e mori pjesë në Luftën e Reçit në gusht 1943…. Por sapo gjermanët hynë në Shqipëri, ai doli ti priste në Pukë. Këto e të tjera i vërtetojnë dokumentet e pushtuesve….
Duke parë situatën në vend, dhe rolin pinjollëve të disa Familjeve të Mëdha apo elitave shqiptare, gjenerali anglez Dejvis i shkruante Komandës Aleate të Mesdheut:
“Këta njerëz janë mësuar të bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët e tani përpiqen të bëjnë këtë rol edhe me ne, prandaj ju rekomandoj tu bëhet atyre paralajmërimi i fundit, se mbas lufte do të dalin pra gjyqit si kriminelë”.
Më shqip e më qartë nuk ka si thuhet, madje që atëherë paralajmëroheshin se do të dënoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesve, për tradhti ndaj Atdheut….
Po ky gjeneral, në telegramin e dt.17 dhjetor 1943, i shkruante Shtabit Aleat të Mesdheut në Kajro:
“Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, sa që tani duhet urgjentisht të denoncohet Këshilli i Regjencës, kolektivisht dhe çdo anëtar me emër. Gjithashtu dhe Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët”.
Më 5 gusht 1944, Zyra Strategjike e ShBA ()SS) arrinte në konkluzionin:
“Balli Kombëtar tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është shumë i lidhur me Qeverinë kuislinge, sa, që është e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis tyre”.
Që gjatë luftës, drejtuesit e vendeve të pushtuara, punonin për të ndryshuar ligjet për dënimin e bashkëpunëtorëve me pushtuesit. Kështu Qeveria Holandeze në mërgim, ndryshoi Kodin Penal, dhe riktheu dënimin me vdekje, ndërsa Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944 aprovoi dy ligje për dënimin me vdekje të kolaboracionistëve…e kështu me radhë edhe vendet tjera. Në kodin penal të shumicës së vendeve të botës, kolaboracionizmi klasifikohet tradhti kombëtare.
Në të gjitha vendet e pushtuara, mbas lufte u arrestuan qindra mijëra bashkëpunëtorë të pushtuesit gjerman, shumë prej të cilëve u dënuan. U dënuan me vdekja kryeministrat e Francës, Norvegjisë, Holandës e Sllovakisë…Në Francë u dënuan rreth 120 mijë vetë, në Holandë mbi 11 mijë vetë nga të cilët me vdekje 200 vetë, deri në Luksemburgun e vogël u dënuan rreth 10 mijë vetë e kështu me radhë në të gjitha vendet e pushtuara…
Solla këta shembuj, ndërmjet qindra të tjerëve për të treguar si janë trajtuar kolaboracionistët mbas lufte në Europë. Në shkrimin e tij z.Butka flet për shumë të pushkatuar e të dënuar mbas lufte, por nuk thotë asnjë fjalë se ata u dënuan si në të gjitha vendet e Europës, si bashkëpunëtorë të nazifashizmit, si tradhtarë të Atdheut. Ai ka të drejtë kur shkruan për persekutimin fëmijëve e familjeve të tyre, të cilët në kuadrin e luftës së klasave e pësuan padrejtësisht, luftë që mbetet një nder veprat më kriminale të asaj kohe….
Z.Butka nuk thotë asnjë fjalë se një pjesë e mirë e pinjollëve të këtyre Familjeve u arratisën bashkë me pushtuesit gjermanë, u vunë në shërbim të zbulimeve të huaja dhe gjoja, për të rrëzuar qeverinë komuniste, vepruan kundër Shqipërisë……. Dokumentet e huaja, italiane, amerikane, angleze, jugosllave etj. që janë marrë me ta, tregojnë tepër qartë se disa pinjollë të Familjeve të Mëdha, të organizuar në parti e organizata si Balli Kombëtar, Balli Kombëtar Indipendent, Partia Agrare Demokratike, Balli Kombëtar (Krahu i djathtë), Besëlidhja Demokratike Shqiptare, Legaliteti (Lëvizja Monarkiste), Partia e Bujqve dhe Katundarëve, Lidhja e Dytë e Prizrenit, KEVA (Komiteti për Çlirimin e Vorio Epirit) etj. janë zënë, grindur, sharë e madje rrahur me njëri tjetrin….duke na turpëruar para të huajve.
Është e vërtetë se disa përfaqësues të Familjeve të Mëdha, kanë luajtur rol pozitiv dhe në momente kyçe të historisë tonë kanë luajtur rol vendimtar, dhe kjo është e shpjegueshme, sepse ata ishin të ditur, të shkolluar në shkollat më të mira të Europës etj. Bijtë e popullit të thjeshtë, vegjëlia, “Opinga” ishin pa shkollë, injorantë…. Në vitin 1945, rreth 85 për qind e shqiptarëve ishin analfabetë. Ndër masat e para që mori Qeveria mbas çlirimit të vendit ishte arsimimi i popullit, i “Opingës”, duke filluar me kurset kundër analfabetizmit, hapjen e shkollave deri në zonat më të thella malore, e deri në krijimin e Universitetit të Tiranës, Akademisë së Shkencave etj. (Kujtoni Ndrec Ndue Gjoken, një shembull i jashtëzakonshëm që deshi të mësonte fëmijët e “Opingës” në Mirditë, që kriminelët, me urdhër të ndonjë pinjolli të Familjeve të Mëdha e vranë…. ).
Pavarësisht se vranë atë dhe disa të tjerë që donin dhe punonin për arsimimin e bijve të “Opingës”, në të katër anët e Shqipërisë ata u arsimuan, u bënë profesorë, akademikë, ekonomistë, politikanë, inxhinierë, mjekë, artistë, diplomatë, ministra, sportistë etj.
Do sjell një shembull të thjeshtë, por kuptimplotë. Krahina e Nikaj Mërturit, një ndër zonat më të thella e më të prapambetura, me popullsi rreth 4 mijë banorë në vitin 1945 kishte vetëm 29 vetë që dinin shkrim e këndim…Në vitin 1991 (tashmë me rreth12 mijë banorë) kishte 730 vetë me arsim të lartë… Bijtë e “Opingës” nga Nikaj Mërturi arritën të bëheshin Profesorë Universitetesh brenda e jashtë Shqipërisë (disa prej tyre hartues tekstesh mësimore për universitete), mjekë të dalluar, shkrimtarë, studiues të njohur edhe jashtë Shqipërisë etj. ashtu siç u benë bijë e bija të “Opingës” nga të katër e Shqipërisë, që u vunë në krye të punëve, në të gjitha fushat, dhe mirë apo keq, bënë këtë Shqipëri që kemi sot, duke hedhur poshtë teoritë antishkencore e antikombëtare të epërsisë së Familjeve të Mëdha ndaj “Opingës”, teori që fatkeqësisht kanë zënë vend në mendjet e pinjollëve të disa prej këtyre Familjeve…
Faktet e këtyre 35 viteve demokraci, kur bijtë e Familjeve të Mëdha u vunë në kushte të barabarta me ata të “Opingës”, po tregojnë çdo ditë e më shumë, se ata nuk dallohen, nuk po shkëlqejnë mbi të tjerët, por njëlloj si bijtë e “Opingës”, bashkërisht po kontribuojnë në fusha të ndryshme për Shqipërinë./DITA