Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca së bashku me aleatët evropianë do t’i paraqesin Iranit një propozim diplomatik me qëllim të zgjidhjes së konfliktit me Izraelin. Ky propozim pritet të prezantohet gjatë bisedimeve që do të mbahen sot në Gjenevë.
Macron tha se plani përfshin rifillimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të siguruar që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit. Gjithashtu, propozohet monitorimi i aktivitetit të raketave balistike iraniane dhe ndërprerja e mbështetjes financiare të Teheranit për organizatat e armatosura në rajon. Një tjetër kërkesë kyçe e këtij plani është lirimi i personave të huaj të mbajtur si pengje në burgjet iraniane.
Presidenti Macron theksoi se Irani duhet të tregojë gatishmëri për t’u angazhuar në negociata brenda kornizës së propozuar nga evropianët në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme.