Avokati i familjes së Liridona Ademajt ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit. Avokati Leutrim Syla tha se vendimi i gjykatës është një taktikë që përdoret për zbutjen e dënimit.
“Vendimi i gjykatës për të pranuar këtë kërkesë është në përputhje me procedurat ligjore, por nga ana jonë shihet si një manovër e mbrojtjes për të vonuar procesin ose për të shmangur përballjen e plotë me drejtësinë. Kjo është një taktikë që shpesh përdoret për të ndikuar në zbutjen e dënimit përmes mekanizmave shëndetësorë apo për ta paraqitur të pandehurin në një dritë tjetër përpara gjykatës,” deklaroi Syla.
Ai shtoi se në raste të ngjashme në të kaluarën, ekzaminimet psikiatrike janë përdorur si mjet për të penguar drejtësinë apo për të krijuar baza për arratisje.
“Ka pasur mjaft raste kur këto ekzaminime janë keqpërdorur, por në përfundim ka rezultuar se i akuzuari është mendërisht i shëndetshëm. Në këtë rast konkret, përballja e Naim Murselit me një dënim të mundshëm të përjetshëm e shtyn atë të përdorë çdo hap të mundshëm ligjor për të zbutur pasojat, dhe ndoshta kjo është përpjekja e tij e fundit për të ndikuar në vendimin përfundimtar të gjykatës,” përfundoi Syla.
Gjithashtu avokati deklaroi se familja e Liridonës e kanë priur me frikë këtë zhvillim dhe janë me shpresën që gjithçka do të shkojë mirë.