Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur ta ndalin hovin e programit bërthamor iranian dhe se tani po kërkojnë një rrugë paqësore për të ulur tensionet me Teheranin.
Në një intervistë për “Meet the Press” në NBC, Vance tha se Uashingtoni nuk po kërkon më konfrontime ushtarake dhe se fokusi është te negociatat.
“S’duam të hyjmë në një cikël të ri bombardimesh. Ajo që kemi bërë mjafton. Synimi ynë është i qartë – një Iran pa armë bërthamore,” u shpreh ai.
Ai shtoi se SHBA janë të gatshme të ulen në tryezë me Iranin, me shpresën për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe paqësore.
Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pas sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve që mendohet se ishin të lidhura me programin bërthamor iranian, në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme po rriten ndjeshëm.