Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Koli Bele, në një deklaratë nga qendra e rinumërimit të votave në Tiranë, sqaroi se procesi i rinumërimit është vetëm administrativ dhe nuk synon të hetojë krime zgjedhore.
Bele theksoi se rinumërimi po bëhet nga një administratë e vogël krahasuar me numrin e personave që përfshihen zakonisht në këtë proces, duke shtuar se pritet që përfundimi i tij të vijë së shpejti, brenda fundjavës ose fillimit të javës së ardhshme.
Ai sqaroi gjithashtu se për të konkluduar nëse ka pasur manipulime të qëllimshme, duhet një hetim tjetër, pasi KAS nuk po shqyrton kuti kutinë, por vetëm po tabulon dhe përmbledh rezultatet.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Partisë Socialiste për vota të pavlefshme të cilat dyshohet se janë konsideruar të vlefshme, Bele tha se nuk ka pasur ndryshime të tilla masive dhe se procesi po administrohet me standarde të njëjta për të gjithë kandidatët.