Në ceremoninë e 25-vjetorit të krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca bëri një bilanc të punës së këtij institucioni, duke theksuar se gjatë këtyre viteve janë dhënë mbi 5750 rekomandime, disa të pranuara e të zbatuara, ndërsa disa të tjera janë arkivuar në “ndërgjegjen institucionale”.
Ballanca u shpreh se Avokati i Popullit nuk detyron, por ekspozon dhe ndërgjegjëson, duke shërbyer si një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e shoqërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Duhet të punojmë për një shoqëri ku barazia të mos jetë thjesht një slogan, por realitet i prekshëm për të gjithë, veçanërisht për fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të papërfaqësuarit,” tha Ballanca.