Për të parandaluar abuzimet e zyrtarëve ndaj personave që vuajnë dënimin në burgje apo janë nën Shërbimin e Provës, qeveria po propozon krijimin e një Agjencie të re Mbikëqyrjeje. Kjo strukturë do të ketë si detyrë kontrollin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të burgjeve, Policisë së Burgjeve dhe Shërbimit të Provës.
Ndryshimet e parashikuara në projektligj u diskutuan në Komisionin e Ligjeve në Kuvend. Deputetët e opozitës shprehën rezerva, duke ngritur shqetësime për situatën aktuale në burgje. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti në komision çështjen e situatës së Ilir Metës në paraburgim.
Pas mbledhjes, Ilir Meta reagoi në rrjetet sociale nga qelia, duke renditur një sërë problematikash që, sipas tij, ekzistojnë në sistemin penitenciar: nga mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, te trajtimi shëndetësor dhe pagat e gardianëve.
Mënyra e trajtimit të të burgosurve është ngritur si shqetësim edhe në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, i cili evidenton problematika në kushtet dhe standardet e sistemit të burgjeve.









