Mediat greke i kanë kushtuar një tjetër artikull faktit që Shqipëria i dha dhëndrit të Donald Trump ishullin e Sazanit. Familja Trump ka marrë në zotërim ishullin në Shqipëri, “një nga të fundit në Mesdhe që ende nuk ka rënë “viktimë” e mbishfrytëzimit” shkruan iefimerida.
Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner po përgatiten të investojnë një shumë mbresëlënëse prej 1.4 miliardë dollarësh për të transformuar ishullin e paprekur, një bazë armësh e braktisur e Luftës së Ftohtë – në një destinacion turistik luksoz, ndërsa vajza e presidentit amerikan përgatitet të ndjekë hapat e të atit në industrinë e pasurive të paluajtshme.
Siç raporton gazeta britanike Guardian, “shqiptarët tashmë e quajnë “Ishulli i Trumpëve”, domethënë “Ishulli Trump” i vendosur midis Detit Adriatik dhe Detit Jon, në një pozicion strategjik në hyrje të Gjirit të Vlorës, në Ngushticën e Otrantos që ndan Italinë nga Shqipëria.
“Në ishullin shqiptar ka tunele rreth 16 km të gjata, ku tani jetojnë kryesisht lakuriqët e natës, nepërkat dhe lepujt e egër, si dhe rreth 3,600 strehimore” shkruan gazeta greke.
Mbetet e paqartë se kur do të fillojë ndërtimi në ishull. Dokumentet që lidhen me miratimin paraprak nga qeveria shqiptare tregonin se ajo rezervon të drejtën për të revokuar vendimin në pritje të negociatave të mëtejshme.