Ish-Prokurori i Durrësit, njëkohësisht dhe deputeti i këtij qarku për Partinë Demokratike dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Arjan Ndoja, është paraqitur mëngjesin e sotëm (27 qershor) në ambientet e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndoja është duke dhënë dëshminë e tij lidhur me atentatin tek mbikalimi i urës së Shkozetit.
Ai ka dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, duke thënë se plumbat vinin nga pas.
“Në 2019 kam banuar në Tiranë, me punë kam qenë në Durrës. Gjatë muajit kam banuar në qytetin e Shëngjinit për periudhën që ti më pyet. Kam pasur makinë Mercedes Benz, automjetin e drejtonin të gjithë personat e familjes. Gjatë muajit tetor të 2019 kam marrë një djalë në punë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Andi Maloku. Ka qëndruar me mua rreth një muaj, më shumë i kam dhënë unë makinës sesa ai, thjesht doja të ishte.
Përveç situatës që u godita me armë zjarri, nuk ka diçka tjetër. Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me ca miq, kemi ndenjur deri rreth orës 16:00. Kam qenë me shoferin Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon. Këtë e njohur si avokat.
Në makinë, drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë isha në sediljen e pasagjerit, pas ishte Aleksandër Laho. Unë do kthehesha për shtëpi, edhe ai për shtëpi, kemi pasur një segment të përbashkët rruge.
Te pjesa e parkimit të lokalit, kemi ndenjur 10 minuta, nuk e di a ka pasur njeri. Itinerari, te ura e Dajlanit, pastaj te mbikalimi, sa kaluam në mbikalim, filluan të shtënat. Nuk e kuptova fillimisht, mu duk si plastmas, plumbat vinin nga mbrapa. Nuk kemi arritur ta shohim makinën, se nuk arrin dot. Të shtënat kanë qenë nga dy armë, se dallohet zhurma e ndryshme. Kanë qenë të shtëna, por jo breshëri. S’jam i sigurt sa, por 13 predha duhet të jenë.
Makina u ngadalësua nga i ndjeri. Vetëm 3 minuta kam qenë koshient, jam rrëzuar në tokë pasi dola nga makina, isha pa ndjenja 6-7 minuta dhe e kam pa veten në spital. Momentin që ka hapur derën, ndjesë pastë, Andi ra, duhet të ketë pasur dhimbje. Se ja doli të dalë nga makina. Është si xhep vendi ku na goditën”, tha ai.
Ish-prokurori tha para trupit gjykues se nuk ka asnjë dijeni se kush mund ta ketë qëlluar, pasi nuk ka pasur probleme me askënd.
“Nuk kam dijeni kush më ka qëlluar. Nuk kam pasur absolutisht me asnjë njeri, asnjë problem, as me kthy kokën prapa as majtas. Nuk kam pasur, e nuk kam shqetësime”, tha ai,
Sipas Ndojës, nga të pranishmit njeh vetëm Plarent Dervishajin.
“Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu (Plarent Dervishaj). Kam qenë në një takim një herë me një avokat”, u shpreh Ndoja.
Ish-prokurori kërkon të njihet me motivin e atentatit ndaj tij.
“Unë motivin dua të di. Kam dëgjuar nga shtypi, nga shkresat që më keni nisur ju, por nuk e di pse e kanë bërë. Nuk i kam borxh askujt, më intereson arsyeja. Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta, ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush të më thotë se ça borxhi u kam”, tha ai.
“I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeminstri, ish zv.kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetingun e famshëm. Janë bërë lëvizje mashtruese në rotondo, që teknikisht të ndryshosh. Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me vetingun. Të vetmet lëvizje mashtruese që kam bërë në atë kohë ka qenë për të evitoj operacionalen”, shtoi Ndoja.
“Është goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është”, përfundon ai.
Përplasje mes Dervishajt dhe Ndojës
Pas dëshmisë së dhënë nga ana e ish-prokurorit, ka pasur një përplasje mes tij dhe të pandehurit Plarent Dervishaj.
Plarent Dervishaj: I vetmi konflikt që ti ke pasur thua që ka qenë ai me kryeminstrin dhe ish zv.kryeministrin, Erjon Braçe. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte. A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë? Mos e kam marrë porosinë nga Erjon Braçe?
Arjan Ndoja: Kam dëgjuar shumë për ty, edhe nga shtypi. Por këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy.
Plarent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.
Arjan Ndoja: E shoh, je trim ti.
Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, do të ta fal?
Arjan Ndoja: Cilin atentat?
Plarent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.
Arjan Ndoja: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.
Përplasja Ndoja-Meçaj në seancë
Avokati Isuf Shehu, mbrojtësi i Julian Meçaj: Pse e ke këshilluar babain e Julian Meçaj?
Arjan Ndoja: Përderisa unë kam marrë plumba dhe nuk i jam debitor askujt, i thashë Basir Meçes, shiko se na kanë ardhur plumba, nuk i meritojmë. Ia kërkova Basirit ta hiqte djalin ta çonte jashtë si mik, si prind. Unë mendoj se po na bënin intriga. Përhapja e një gënjeshtre si e vërtetë është intrigë.
Avokati Isuf Shehu: Dyshohet se ti si prokuror, ke ndërhyrë në një çështje ligjore.
Arjan Ndoja: Te letra që më erdhi nuk kishte asnjë të dhënë, asgjë të shënuar, as procedimi. As nuk dihet kush e solli atë letër. E mendova thirra Basirin, ia tregova se çfarë mendoja.
Julian Meçaj – Arjan Ndojës: Në 2001 ke filluar punë. Të kanë ardhur disa letra anonime? Si prokuror, a ia keni dorëzuar organeve?
Arjan Ndoja: Jo.
Julian Meçaj: Ti thua nëse do kishe borxh, do e shlyeje medoemos. Si do e ktheje?
Gjykata e refuzoi një pyetje të tillë.
Kështu nisin debate në sallën e gjyqit mes Meçajt dhe Ndojës.
Julian Meçaj: Nga katolikët e Shkodrës deri te katolikët e Pogradecit, trafikantëve u ke qethur lesht.
SPAK-Ndojës: Në vitin 2019, cili ka qenë pozicioni juaj?
Arjan Ndoja: Prokuror.
Prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi: E përmendët disa herë kryeministrin, ish-zv.kryeminstrin, a mendoni se ka lidhje me atentatin tuaj?
Arjan Ndoja: Jo, nuk e di.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organiuzar, ka mbyllur në maj dosjen në ngarkim të gjashtë personave, të cilët akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019.
Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.
Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Ndërsa Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rumi i Shijakut” mbetën të plagosur./ TVKLAN