Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është zotuar se do të tërhiqet nga kandidatura nëse nuk siguron të paktën 61 vota në një votim të fshehtë.
Në një konferencë për media para seancës konstituive, ajo u bëri thirrje partive parlamentare të formojnë një komision për realizimin e votimit të fshehtë. Megjithatë, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kanë kundërshtuar këtë procedurë duke refuzuar formimin e komisionit, pasi Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në votimet e hapura të mëparshme.