-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Serbët festojnë Vidovdanin në Gazimestan në masa të forta sigurie

Kryesoret

Në Gazimestan, rreth dhjetë kilometra larg nga Prishtina, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit, tradicionalisht festojnë Vidovdanin më 28 qershor, në kujtim të betejës kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Vidovdani festohet edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Policia e Kosovës, ashtu si në vitet e kaluara, ka një plan operativ dhe siguron organizimin e serbëve në Vidovdan, dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin “çdo provokim të mundshëm, t’i respektojnë ligjet dhe udhëzimet”.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’i kryer detyrat dhe kompetencat e saj ligjore, për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të zbatuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës në mënyrë që të garantojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në deklaratë.

Në vitet e kaluara, ka pasur edhe arrestime për, siç raportohet, “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në prag të Vidovdanit se, sipas vlerësimeve të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, Serbia synon të provokojë incidente dhe se me këtë rast grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë organizuar për të ardhur në Kosovë.

“Grupe të tilla tradicionalisht kanë qenë provokuese, duke mbajtur simbole nacionaliste serbe dhe ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vlerësoi se akuzat e Kurtit kundër Serbisë janë “të çmendura dhe të pabaza”, dhe deklaroi se kryeministri i Kosovës në fakt dëshiron të “krijojë një alibi për planet e tij represive që dëshiron të zbatojë”.

Në fillim të qershorit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e vitit të kaluar të komunës së Graçanicës për lejimin e shfaqjes së flamurit serb me rastin e Vidovdanit. Gjykata deklaroi se kjo komunë me shumicë serbe kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe kishte vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare.

Megjithatë, të shtunën ekipi i Radios Evropa e Lirë i ka parë flamujt serbë në gjithë Graçanicën, edhe përpara ndërtesës së komunës, të përdorur për të shënuar Vidovdanin.

Ministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiç, deklaroi se përdorimi i simboleve nga ana e komunitetit serb “nuk përbën kërcënim për identitetin e askujt, por përkundrazi një afirmim të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – reagoi ndaj këtij vendimi, duke vlerësuar se e njëjta gjë duhet bërë kur flamuri shqiptar të shfaqet në Kosovë.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989. Ky fjalim shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit