Europa Jugore po përballet me valën e parë ekstreme të të nxehtit për këtë verë, me temperatura që në disa rajone të Spanjës dhe Portugalisë kanë arritur deri në 46°C.
Ekspertët fajësojnë fenomenin e njohur si “kupola termike”, një zonë presioni të lartë që bllokon ajrin e freskët dhe favorizon akumulimin e nxehtësisë.
Në Portugali, qyteti Mora shënoi një temperaturë rekord prej 46.6°C, potencialisht më e larta për muajin qershor. Në Spanjë dhe Francë, autoritetet kanë shpallur alarme masive, me 88% të territorit francez në nivel portokalli. Rreth 200 shkolla publike janë mbyllur për shkak të kushteve ekstreme.
Në Itali, spitalet në Toskana raportojnë një rritje prej 20% të rasteve të shtrimeve për shkak të goditjeve nga i nxehti, ndërsa qytetarëve u kërkohet të shmangin qëndrimin në diell nga ora 11:00 deri në 18:00.
Ndërkohë në Gjermani, temperaturat pritet të arrijnë 40°C deri të mërkurën. Thatësira ka shtuar rrezikun për zjarre pyjore dhe ka detyruar disa qytete të vendosin masa kufizuese për përdorimin e ujit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit janë “vrasës të heshtur”, duke rritur ndjeshëm vdekshmërinë tek të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna.