Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi me anë të një postimi shprehet se ka vendosur që të bojkotjë Kuvendin serb në shenjë proteste. Kamberi ka renditur një sërë arsyesh për të cilat tha se ka vendosur që të mos marrë pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë.
Ai thotë se përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite kanë ngritur zërin në Parlament duke folur në emër të të drejtave, barazisë dhe të ardhmes evropiane, duke kërkuar respektimin e normave themelore të të drejtave të njeriut.
“Duke qenë dëshmitar çdo ditë i shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave themelore të njeriut dhe të komuniteteve pakicë – në veçanti të shqiptarëve, të drejtat e të cilëve vazhdojnë të nëpërkëmben prej dekadash, përkundër tre marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin (2001, 2009 dhe 2013);
Mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi politik dhe institucional, pasivizimi administrativ dhe mungesa e perspektivës ekonomike janë bërë pjesë e një agjende sistematike që synon shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët;
Duke vërejtur mungesën e plotë të vullnetit politik për të proceduar me nismat dhe iniciativat ligjore që do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Serbi – të cilat tashmë prej muajsh mbeten të bllokuara në procedurat parlamentare;
Duke besuar se demokratizimi i Serbisë nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të pushtetit, por kërkon vullnet të sinqertë për reformë, respekt për të gjithë qytetarët dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet; në fakt, demokratizimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm kur, krahas ndërrimit të pushtetit, ndodh edhe shkëputja përfundimtare nga politika imperialiste e viteve ’90;
Në këto rrethana, nuk do të marr pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë.”, shprehet Kamberi.