Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, është liruar sot nga Burgu i Fierit pas kryerjes së 2/3 së dënimit prej 9 muajsh për kallëzim të rremë.
Pak minuta pas daljes, ai njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, në orën 17:15.
Salianji e quajti dënimin ndaj tij “të motivuar politikisht” dhe një përpjekje për ta penguar nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e betejës së tij për drejtësi në Gjykatën e Strasburgut.
Dënimi i tij, i dhënë me vendim të Gjykatës së Apelit në shtator të vitit të kaluar, është konsideruar nga ekspertët si një masë e ekzagjeruar dhe e paprecedentë në jurisprudencë.