Gjykata e Trevisos ka dënuar me burgim të përjetshëm Bujar Fandajn, 40 vjeç, për vrasjen e ish-partneres së tij shtatzënë, Vanessa Ballan, 26 vjeçe, më 19 dhjetor 2023. Vanessa u qëllua me thikë në hyrje të banesës së saj në Riese Pio X, pas një konflikti me Fandajn, i cili nuk pranoi ndarjen dhe e kishte kërcënuar me shantazh duke përdorur video intime.
Vanessa kishte bërë kallëzim për përndjekje dhe dhunë seksuale një vit më parë, por kërcënimet dhe përpjekjet për t’u ribashkuar vazhduan. Në momentin e vrasjes, ajo ishte në pritje të fëmijës së dytë, për të cilin prokuroria dyshon se mund të ishte fëmija i Fandajt.
Në shtëpinë e tij u gjet një foto ku shfaqeshin Vanessa, Bujari dhe djali i saj 4-vjeçar, që dëshmonte lidhjen e fortë të Fandajt me viktimën para krimit.