Kreu i Nismës Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka reaguar në rrjete sociale në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje.
Lapaj shprehet se ndërtimet pa leje nuk duhet që të tolerohen në asnjë rrethanë. Sipas tij qeveria aktuale ka dashur që të shyjë qytetarin në paligjshmëri që më pas ta rrjepin nga xhepat e ta mbajnë peng votën.
“Qeveria aktuale, duke shtyrë në mënyrë të përsëritur afatin e legalizimeve para çdo palë zgjedhjesh, ka dhënë një mesazh të qartë: “Ndërtoni tani, na jepni votën dhe ne do t’ua legalizojmë.” Kështu ka ndodhur. Pra, ka qenë vetë qeveria ajo që i ka nxitur qytetarët të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme.
Si ka mundësi që në vitin 2025, kur Republika Legjendare ka shpenzuar miliona dollarë për satelitë dhe dronë që supozohet të kontrollojnë çdo centimetër të territorit, deri edhe mizat…lejohet ndërtimi i 40 objekteve pa leje në një fshat të vetëm? Kush i ka lejuar? Si ka ndodhur kjo pa dijeninë apo bashkëpunimin e institucioneve shtetërore? Apo i lanë sa u morën paratë dhe votën?
Kush janë zyrtarët e arrestuar për këto ndërtime?
A po trajtohen të gjithë njësoj përballë ligjit, apo vazhdojmë me standardin e dyfishtë: disa të nënës, disa të njerkës? A po prishen të gjitha objektet pa leje të ndërtuara kudo në Republikë?
Ne besojmë fort në shtetin ligjor dhe nuk mbështesim asnjë ndërtim të paligjshëm, por të tallesh me djersën e njerëzve është ligësi.
Ndaj o motra e vëllezër u folëm për ligjin. Ndaj u thamë mos zgjidhni politikën e pazareve se do u kushtojë shtrenjtë. Uroj të reflektoni! Përpara janë zgjedhjet e pjesshme dhe ato lokale. Mos vazhdoni më me politikën e hajnave.”, shprehet Lapaj.