Me ftesë të Kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Sofje më 9 dhe 10 korrik, gjatë së cilës do të takohet me krerët më të lartë të shtetit bullgar: Presidentin Rumen Radev, Kryeministrin Rossen Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit Kiselova.
Në takimin me Kryeministrin Jeliazkov, Spiropali theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të ndërtuara mbi baza historike, kulturore dhe njerëzore. Ajo vlerësoi mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rolin e saj si një partnere e rëndësishme në kuadër të NATO-s.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, ashtu siç ishte për anëtarësimin tonë në NATO. Sot jemi partnerë strategjikë në shumë fusha”, u shpreh Spiropali.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal, duke përmendur projektin strategjik të Korridorit VIII si një shtyllë kyçe për zhvillimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjes mes dy vendeve dhe rajonit më gjerë.
Nga ana e tij, Kryeministri Jeliazkov rikonfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe vlerësoi rolin e saj aktiv për paqen dhe sigurinë në rajon, veçanërisht në kuadër të zhvillimeve më të fundit politike në Ballkanin Perëndimor.
Vizita e Spiropalit pritet të thellojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia, energjia, turizmi dhe integrimi europian.