Hetimet për rrëzimin tragjik të avionit të Air India, që ndodhi më 12 qershor pak minuta pas ngritjes nga Ahmedabad me destinacion Anglinë, po përqendrohen te veprimet e pilotëve.
Sipas Wall Street Journal, deri tani nuk janë konstatuar probleme me avionin Boeing 787 Dreamliner, por dyshohet se çelësat që kontrollonin rrjedhën e karburantit në motorë janë fikur – ende nuk dihet nëse qëllimisht apo aksidentalisht.
Ky veprim mund të ketë çuar në fikjen e motorëve dhe aktivizimin e gjeneratorit emergjent (RAT), pak para përplasjes së avionit në një konvikt studentor. Nga ngjarja humbën jetën 270 persona, përfshirë të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin, përveç një të mbijetuari.
Hetimet po vijojnë me analizën e kutisë së zezë për të përcaktuar saktësisht shkakun e aksidentit.