Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është paraqitur pranë Shërbimit të Provës mëngjesin e sotëm, në zbatim të vendimit të Gjykatës.
Salianji u lirua nga burgu i Fierit me kusht 3 ditë me parë, ku vuante dënimin që prej tetorit 2024. Lirimi i tij erdhi pasi raporti i vlerësimit të sjelljes dhe raporti i Shërbimit të Provës rezultuan pozitiv për të.
“Jemi në kushtet e një regjimi, ku dënimi im politik dhe çdo ditë qëndrimi më burg konfirmon që për interesa politike dhe për çdo interes tjetër që bie ndesh me ato të vullnetit personal të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin me çdo formë, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politike për të krijuar klimë terrori.
Do të jem përsëri edhe një herë tjetër brenda këtij muaji, pastaj në vijim ndërtohet një program për shërbimin e provës. Përderisa është krijuar ky institucion dhe ndeke zbatimin vendimit të Gjykatës, jam në respekt të vendimit.
Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk do ketë aty zgjidhje, mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut” tha ai.