Ka disa fjalime të liderëve politikë që bëjnë pjesë në kujtesën historike të botës së re e të qytetëruar e ndërtohet e forcohet çdo ditë e më shumë në Europën e lirive demokratike, të së Drejtave të Njeriut dhe të Demokracisë. Kam patur fatin që në vitin 1995 të banoja pranë Senës në Paris, jo larg nga kulla Eiffel dhe kur dikur kishte ekzistuar qëndra sportive e Velodromit të Dimri “Velodrome d’Hiver” apo “Vel d’Hiv” siç e quajnë shkurt parisianët. Pikërisht aty, në 16 korrik të vitit 1943, policia franceze e Vishisë kolaboracioniste të mareshallit Peten kreu atë që hyri në histori me termin “Rafle de Vel d’Hiv”, pra arrestimet e mijra të hebrejve që jetonin prej shumë kohësh në lagjet e Parisit, duke i grumbulluar ata në Velodrom, i cili sot nuk ekziston më. Megjithatë ekziston memoriali i kësaj historie tragjike ku çdo vit përkujtohet ajo ditë që hyri në historinë franceze si “historia e krimit të kobshëm”. Atë ditë nuk kam asistuar në përkujtimin e organizuar ku foli presidenti francez Jacques Chirac, i cili mbajti një fjalim historik që u transmetua atë mbrëmje në TV dhe që gjeti një jehonë të madhe në popullin francez e veçanërisht në arenën internacionale. Për herë të parë, pas disa dekadash, shteti francez përmes fjalës së tij kërkoi pardon për krimet ndaj hebrejve që policia franceze i grumbulloi dhe i dërgoi pastaj në Pithiviers, Baune-la Rolande e më pas në periferinë parisiane në Drancy, ku deri në fund të vitit 1944, niseshin trenat me hebrejtë që dërgoheshin në furrat e vdekjes të kampeve naziste në Auchvitz, Buchenvald, Mathausen etj.
Atë ditë të përkujtimit, predidenti francez Chirac i tha botës mbarë: “ Ka momente në jetën e një kombi që dëmtojnë kujtesën dhe imazhin që kemi për vendin tonë. Këto momente janë të vështira për t’u evokuar sepse gjithmonë nuk dimë si të gjejmë fjalët e duhura për të kujtuar tmerrin, për të shprehur hidhërimin e atyre që e përjetuan tragjedinë. Ata që përgjithmonë vuajtën në shpirtrat dhe trupat e tyre kujtimin e atyre ditëve të lotëve dhe të turpit. Është gjithashtu e vështirë t’i evokosh ato sepse ato orë të errëta e njollosën përgjithmonë historinë tonë dhe ishin një fyerje për të kaluarën dhe traditat tona. Po, çmenduria kriminale e pushtuesit u ndihmua nga populli francez, nga shteti francez. Pesëdhjetë e tre vjet më parë, më 16 korrik 1942, 450 policë dhe xhandarë francezë, nën autoritetin e komandantëve të tyre, iu përgjigjën kërkesave të nazistëve. Atë ditë, në kryeqytetin dhe rajonin e parisian, gati 10,000 burra, gra dhe fëmijë hebrenj u arrestuan në shtëpitë e tyre në mëngjes herët dhe u mblodhën në komisariatet e policisë ku do të ndodhnin skena të tmerrshme: familje të ndara, nëna të ndara nga fëmijët e tyre, të moshuar, ku disa prej tyre, veteranë të Luftës së Madhe, të kishin derdhur gjakun e tyre për Francën dhe tashmz të hedhur pa ceremoni në autobusët parisianë dhe furgonët e Prefekturës së Policisë. Do të kishte gjithashtu policë që mbyllën sytë, duke lejuar kështu që disa të arratiseshin. Për të gjithë këta të arrestuar, filloi udhëtimi i gjatë dhe i dhimbshëm drejt ferrit. Shumë prej tyre nuk do t’i shihnin më kurrë shtëpitë e tyre. Dhe sa shumë prej tyre, në atë çaste u ndjenë të tradhtuar! Sa dhimbje e madhe! Ne duhet t’i kujtojmë ata, sepse këto orë të errëta e njollosin përgjithmonë historinë tonë dhe janë një fyerje për të kaluarën dhe traditat tona. Po, çmenduria kriminale e pushtuesit u ndihmua nga populli francez, nga shteti francez…”
Ishte padyshim një nga fjalimet që do të bëhej referencë se si duhet veshtruar historia dhe roli i politikës mbi historinë. Ajo çka më bëri përshtypje atëherë ishte dhe fraza që presidenti Chirac ndër të tjera theksonte: “Të transmetojmë kujtesën e popullit hebre, të vuajtjeve dhe të kampeve. Të dëshmojmë ende dhe vazhdimisht. Të njohim gabimet e së kaluarës dhe gabimet e kryera nga Shteti. Të mos fshehim asgjë nga orët e errëta të Historisë sonë dhe të mbrojmë idenë mbi Njeriun, të lirisë dhe të dinjitetit të tij. Kjo është lufta kundër forcave të errëta që veprojnë vazhdimisht. Kjo luftë e pandërprerë është e imja aq sa është e juaja… Në këtë moment reflektimi dhe kujtimi, dua të zgjedh shpresën…”
Në atë kohë ende nuk e kisha vizituar Çamërinë edhe pse kujtimet e çamëve në Tiranë, por dhe në Vlorë, Lushnje, Durrës, Fier e gjetkë nuk ishin të panjohura për mua. Por ato qindra ngrehina të braktisura, me mure të rrënuara, ato pragje e porta të thyera që kishin qenë dëshmitare të aq vdekjeve, m’u përplasën në fytyrë dhe vite më pas ndjeja një dëshpërim të madh për shoqatat e Partinë çame që në indiferencën më të plotë të shtetit shqiptar, kishin pranuar fatin e harresës. Në vitin 1995, kur presidenti Chirac i drejtohej me kurajo historisë, kujtesës dhe aktualitetit botërore, ai nënvizonte sevërtetë është ndryshe dhe se krimi duhet pranuar. Presidenti francez shtonte në atë fjalim se “nuk duhet të fshehim të metat historike”, ndryshe nga ç’kanë bërë historianët grekë gjer më sot të cilët e kanë mbajtur të fshehur dhe nuk kanë gufiate ti thonë politikës se historia e “ Kur fryma e urrejtjes fryn, e nxitur nga integrizmi, ushqehet nga frika dhe përjashtimi. Kur në pragun tonë, pikërisht këtu, grupe të caktuara të vogla, botime e parti të caktuara politike janë bartës të urrejtjes pak a shumë hapur, bartës të një ideologjie raciste dhe antisemite. Atëherë fryma e vigjilencës që ju frymëzon dhe na frymëzon të gjithëve, duhet të manifestohet më me forcë se kurrë. Në këtë çështje, asgjë nuk është e parëndësishme, asgjë nuk është banale. Krimet raciste, mbrojtja e teorive revizioniste, provokimet e të gjitha llojeve – disa frazat të vogla, batutat – të gjitha burojnë nga te njëjta frymë e urrejtjes…”
Mësimi i atij fjalimi historik në emër të “Pardonit”, të kërkimit të faljes ndaj viktimave të djeshme por dhe fjalimeve të liderëve të tjerë për masakrat e ndodhura ndaj popujve të tjerë, dikur të kolonizuara, u bënë më pas një detyrë dhe për vitet që do të vinin. Partitë e ekstremit të djathtë në republikën greke që nxisin urrejtjen, pengojnë fqinjësinë e mirë dhe miqësinë e bashkëpunimin midis dy popujve të lashtë të Ballkanit të vjetër dhe të ri. Qeveria aktuale greke nuk duhet të kapet në ngërçin dhe të mbetet rob e politikave të brendëshme elektorale por të vështrojë në perspektivën e ardhmërisë. Ajo duhet ta kuptojë se qëndrimet revizioniste dhe nihiliste, siç ishte dhe deklarata e ministrit të Jashtme të Greqisë në Korçë që e trajtoi çështjen çame si “histori të vjetra”, të kaluara, etj, deklarata që sot nuk kanë vend në një Europë të hapur dhe të bashkuar. Ashtu siç janë ngritur memoriale mbi krimet e bëra gjatë historisë në vende të ndryshme të Europës, edhe Greqia e sotme duhet të ngrejë memorialin e saj të pardonit, atë të viktimave të pafajshme të vrara nga ushtria greke në emër të një spastrimi etnik. Historia dëshmon më së miri për këtë. Unë shpresoj që kryeministri Micotaqis, në të njëjtën frymë të optikës europiane për këto çeshtje, të jetë në lartësinë e duhur siç ishte presidenti Chirac në vitin 1995 apo siç është presidenti Macron aktualisht, i cili ka kërkuar pardon për krimet e kryera nga ushtria franceze në vendet ish koloniale. Kërkimi i pardonit është një detyrë fisnike e një lideri politik modern dhe demokrat. Vë në dukje se çdo francez në rastet e pardonit nga presidentët francezë ka qenë solidar me këto akte humaniste. Dhe unë shpresoj që çdo grek, me kishën në krye, nesër do ta kuptojnë dhe nuk do ta kundërshtojnë memorialin Çamërinë duke parë njëkohësisht se shqiptarët kanë pranuar prej vitesh të ngrihen memorialet greke në Shqipëri. Ne kemi një histori të përbashkët, kemi njohur të njëjtat pushtime dhe kemi luftuar krah për krah për pavarësinë e vendeve respektive, dhe ja pse duhet të forcojmë atë miqësi që është ndërtuar deri tani. Siç thoshte presidenti francez në vitin 1995 “ka momente që e dëmtojnë kujtesën dhe imazhin që kemi për vendin tonë”. Dhe kjo duhet pranuar, pasi vetëm kështu shpëtojmë nga pesha e mëkatit, pasi shfarosja e çamëve ishte një gjëmë e madhe dhe pesha e asaj gjëme, sa më shumë koha kalon, aq më shumë ajo rëndon. Brezat e sotëm në Greqi duhet ta mësojnë të vërtetën dhe qeveritarëve grekë duhet tu vijë rëndë për qëndrimin e tyre mospërfillës e cinikë. Është naive të mendosh se “atë nuk e kemi bërë ne”, se “atë e kanë bërë ata para nesh 80 vjet më parë dhe për këtë nuk mbajmë përgjegjësi”. Po, pesha e mëkatit është e madhe dhe heshtja, justifikimi nuk e fshijnë dot nga historia. Ajo është aty, gjithnjë, si një hije vrasëse shekspiriane e një Makbethi apo Rikardi i III.
Uroj gjithashtu që presidenti i Republikës shqiptare zoti Bajram Bega dhe kryeminisri shqiptar zoti Edi Rama ti kërkojnë Akademisë së Shkencave dosjen konkrete të Çamërisë dhe të kërkojnë zyrtarisht ngritjen e një memoriali në Çamëri si dhe pardonin e qeverisë greke ndaj viktimave të pafajshme. Ne nuk duhet ta anashkalojmë këtë shans historik dhe jam i bindur se kjo do i shërbejë ardhmërisë të të dy popujve. Historia nuk zhbëhet. Nëse haxhiografët e dikurshëm të perandorëve e shkruanin historinë siç e donin perandorët, ajo kohë ka marrë fund, pasi historianët që erdhën më pas, mbështetur në faktet historike i vunë në vendin e tyre ngjarjet historike. Këtë duhet të kërkojë dhe shoqëria shqiptare, intelektualët dhe institucionet e shoqërisë civile dhe të mos qëndrojnë indiferent ndaj një çështje të tillë siç kanë qëndruar deri tani. Indiferenca ndaj çështjes kombëtare është e papranueshme. Të gjithë kanë të drejtën e Fjalës dhe duhet ta thonë atë. Ata që kanë votuar pushtetin, kanë të drejtë ti kërkojnë pushtetit të veprojë në emër të tyre! Dua tu kujtoj gjithashtu drejtuesve të shtetit tonë atë që me të drejtë thoshte presidenti Chirac në vitin 1995: “Të mos fshehim asgjë nga orët e errta të historisë sonë pasi kjo është thjesht mbrojtja e një ideje të njerëzimit dhe i dinjitetit të tij. Është lufta kundër forcave të errta që veprojnë vazhdimisht. Kjo luftë e pandërprerë është e imja aq sa është dhe juaja”.
Të mos harrojmë – kjo është detyra e të gjithëve!









