BBC ka publikuar raportin paraprak mbi shkaqet e rrëzimit të aeroplanit të Air India që vrau 260 persona një muaj më parë që ngrenë më shumë pyetje dhe shqetësime. Sipas një raporti paraprak nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB), furnizimi me karburant i motorëve të aeroplanit duket se është ndërprerë disa minuta pas ngritjes, duke çuar në rrëzimin tragjik të tij.
Siç thuhet në raport, çelësat e furnizimit me karburant të dy motorëve u zhvendosën nga pozicioni i funksionimit (RUN) në pozicionin e ndalimit (CUTOFF) njëri pas tjetrit, brenda vetëm një sekonde. Kjo rezultoi në uljen e ndjeshme të fuqisë së motorëve, pasi ata nuk po furnizoheshin më me karburant.
Ky zhvillim shkaktoi konfuzion të madh në kabinën e pilotit, siç tregohet nga regjistrimi audio i dialogëve në kabinë. Njëri nga dy pilotët e pyeti tjetrin pse e “ndërpreu” furnizimin me karburant. Tjetri iu përgjigj se “nuk e bëri ai”.
Pavarësisht përpjekjeve për të rindezur të paktën një motor, avioni nuk arriti të rifitonte shtytjen e nevojshme dhe humbi lartësinë me një shpejtësi që nuk mund ta kthente mbrapsht. Disa minuta më vonë, avioni u rrëzua në një zonë të dendur me popullsi, duke vrarë 241 pasagjerë dhe 19 persona në tokë.
Raporti paraprak, i përgatitur 30 ditë pas aksidentit, nuk jep ende përgjigje përfundimtare se si dhe pse u ndërpre furnizimi i motorëve me karburant. Megjithatë, ky është hapi i parë në një hetim të gjatë që pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e sakta të aksidentit tragjik dhe t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me gabime të mundshme njerëzore ose defekte teknike./ BBC