Një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e së premtes një zonë detare pranë Kretës, Greqi, duke u ndjerë fuqishëm në jug të ishullit.
Lëkundjet u raportuan veçanërisht në zonat Sitia dhe Ierapetra, ku banorët përjetuan momente paniku.
Sipas kryebashkiakut të Sitias, Giorgos Zervakis, tërmeti ishte i fortë dhe me kohëzgjatje të konsiderueshme, çka rriti shqetësimin tek qytetarët.
Megjithatë, autoritetet lokale bëjnë thirrje për qetësi, duke theksuar se situata po monitorohet nga afër. Deri tani nuk raportohen dëme materiale apo të lënduar.
Pas tërmetit kryesor, janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera me magnitudë nga 3.5 deri në 3.8 Rihter.
Sipas ekspertëve, epiqendra ka qenë në jug të rajonit Lasithi, me një thellësi të vogël rreth 5 kilometra, çka shpjegon përhapjen e gjerë të lëkundjeve deri në Kasos dhe Karpathos.
Sizmologët theksojnë se zona është e njohur për aktivitet të lartë sizmik për shkak të përplasjes së pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike.
Ekspertët rikujtojnë se aktiviteti sizmik në Kretë lidhet me përplasjen e pllakës tektonike afrikane me atë euroaziatike, duke e bërë rajonin një nga zonat më aktive sizmike në Mesdhe.









