Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo shprehet se çdo punonjës shteti është në atë detyrë për t’i shërbyer komunitetit.
“Unë jam i parimit që çdo punonjës shteti është në atë pozicion për t’i shërbyer komunitetit dhe njerëzve. Nga momenti që një punonjës nuk e plotëson këtë kriter, për mua nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë. Unë jam edhe më radikal se kryeministri, jo për t’i tundur, por për t’i shkundur. Kjo nuk ka lidhje aspak me deklaratat dhe ato që ndodhën në Vlorë apo bashki të tjera, por është qëndrimi im personal. E kam thënë çdo njeri është në provë. Siç jemi ne në provë çdo 4 vite janë edhe ato. Kështu që unë nuk e kuptoj qëndrimin e opozitës, por vazhdoj të them që çdo punonjës duhet ta konsiderojë veten shërbëtor i popullit”, shprehet Tavo në Klan News.
Ai u pyet për aksionin në Theth dhe aksionin e lirimit të hapësirave publike. Tavo theksoi i prerë që për zaptuesit e tokave të ketë zero tolerancë.
“Unë do i referohem përsëri Himarës. Në Himarë ka kohë që ka filluar lirimi i hapësirave publike, dhe çdo ditë jemi në aksion. Po jua ritheksoj atë që thashë më përpara. Në Himarë ky aksion ka nisur më herët dhe do të vazhdojë çdo ditë. Zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit. Në këtë rast ata që tentojnë të ndërtojnë paleje, apo zaptojnë toka kjo është shkelje edhe më e rëndë dhe unë jam i parimit zero tolerancë. Bëhet fjalë për një bashki si Himara që konsiderohet si xhevahiri i Mesdheut dhe nuk mund të lejojmë ndërtime pa kriter”, tha ai.