Një ngjarje tragjike ndodhi mëngjesin e së dielës në Traiskirchen, rreth 32 km në jug të Vjenës, ku një burrë qëlloi për vdekje një person dhe plagosi rëndë një grua, përpara se të vetëvritej.
Sipas policisë austriake, autori u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet, por më vonë u gjet i vdekur në një vresht pranë zonës. Viktima e vrarë është një burrë, ndërsa gruaja e plagosur u transportua me helikopter në një spital të Vjenës, ku ndodhet në gjendje kritike.
Zëdhënësi i policisë lokale, Johann Baumschlager, deklaroi se ngjarja dyshohet të ketë pasur si shkak një konflikt verbal mes tre personave.
Hetimet po kryhen nga Zyra për Hetime Kriminale e Austrisë së Poshtme, ndërsa motivet e incidentit mbeten ende të paqarta.
Mediat lokale raportojnë se autori, 67 vjeç, me origjinë austriake, ndodhej në lirim me kusht nga burgu dhe mbante në mënyrë të paligjshme armën e përdorur në krim.









