Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në prezantimin e Vëllimit II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, një botim i rëndësishëm që thekson rolin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në forcimin e shtetit të së drejtës dhe implementimin e Kushtetutës.
Spiropali vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike dhe integrimin e vendit në familjen europiane.
Ajo theksoi se ky udhërrëfyes është një mjet praktik dhe i nevojshëm për kuptimin dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese, duke siguruar konsistencën dhe cilësinë e veprimit ligjor në vend.
Fjalët e Kryetares Spiropali:
Në fjalimin e saj, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm historik, në të cilin përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike dhe për arritjen e standardeve europiane janë më të fokusuara se kurrë. “Shqipëria ndodhet sot në një momentum të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike, anëtarësimin në familjen europiane dhe rritjen e prestigjit ndërkombëtar,” – tha Spiropali, duke shtuar se bashkëpunimi i të gjithëve është i nevojshëm për të realizuar këto qëllime të mëdha.
Vëllimi i dytë i Udhërrëfyesit është një mjet i rëndësishëm që do të ndihmojë të gjithë aktorët ligjorë, nga gjykatat dhe prokuroritë deri tek institucionet ekzekutive dhe qytetarët, të kuptojnë më mirë jurisprudencën kushtetuese dhe ndikimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Spiropali e përmbylli fjalën e saj duke theksuar se ky botim është një hap përpara në sigurimin e transparencës dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
/5pyetjet.al