Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot, Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar për ngjarje të rëndësishme ku emri i tij është përfshirë, përfshirë vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, një ngjarje që tronditi qytetin në prill të vitit 2020.
Tasi ka zbuluar se, sipas informacionit të marrë nga Henrik Hoxha, i njohur si “Riku”, ky i fundit ka qenë i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, dhe se kishte bashkëpunuar me Nuredin Dumanin për realizimin e këtij krimi dhe tre vrasjeve të tjera.
“Kur u ktheva nga Gjermania, mësova se Riku kishte rënë në kontakt edhe me Nuredin Dumanin. Riku më tha që 4 vrasje në Durrës, vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkozën e tjetrin i kishte bërë ky. Më tha që kishte marrë pjesë bashkë me një person që e quante ‘kusho’, që më pas mësova se ishte Nuredin Dumani.”
Në dëshminë e tij, Tasi përmendi edhe shqetësimin që Hoxha kishte pasur për njollën e gjakut të gjetur në trupat e vëllezërve Haxhia, e cila rezultoi të ishte e tij.
“Ishte pak në merak, pasi gjaku i gjetur te vëllezërit Haxhia ishte i Rikut.”
Dëshmia e Tasit ka sjellë të tjera detaje që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjeve të mëtejshme të përfshira në dosjen “Plumbi i Artë”, ku të dyshuarit për krime të rënda janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Dëshmia e Skerdi Tasit për atentatin ndaj Gim Boriçit: Më ngeci arma









