Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra në Burrel pak ditë më parë ku u gjet i mbytur në lumë. Në kërkim janë shpallur tre vëllezërit Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, që rezultojnë me precedentë në vjedhje, shpërndarje droge dhe arratisje nga burgu.
Të tre vëllezërit banojnë në Kamëz. Më i njohuri prej tyre është Fatjon Bushgjokaj,i cili është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa lejë të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit si dhe arratisje nga burgu.
Në tetor 2019, Fatjon Bushgjokaj ka marrë një leje disa ditore nga burgu i Rrogozhinës duke mos u kthyer më aty. Në periudhën e arratisjes nga burgu, Bushgjokaj po vuante një dënim me 6 vite burgim për disa vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Për vjedhje është proceduar dhe vëllai i Fatjonit, Kristi dhe Sandër Bushgjokaj. Mes të shoqëruarve për ngjarjen e rëndë është edhe një vajzë.