Autoritetet iraniane njoftuan se kanë ndaluar një cisternë të huaj në Gjirin e Omanit, e dyshuar për kontrabandë të mbi 2 milionë litra karburanti.
Operacioni u krye gjatë monitorimit të lëvizjeve të dyshimta detare, ku u vu re mungesa e dokumentacionit ligjor të ngarkesës.
Kreu i gjyqësorit në provincën jugore Hormozgan, Mojtaba Ghahramani, bëri me dije se në bord ndodheshin 17 anëtarë ekuipazhi, përfshirë kapitenin, të cilët u arrestuan dhe po hetohen nga autoritetet.
Për momentin, zyrtarët janë duke verifikuar dokumentet dhe analizuar karburantin e sekuestruar për të konfirmuar sasinë dhe për të zbuluar më shumë detaje mbi rastin.
Ende nuk është bërë i ditur emri i cisternës, flamuri i saj apo destinacioni i ngarkesës, ndërsa hetimet vazhdojnë në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Jask.









