Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e ka cilësuar si “të rrezikshme” dhe jashtë çdo norme ligjore dhe kushtetuese vendimin e kryeministrit Edi Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.
Ndoka shprehu shqetësimin e tij për sjelljen e Ramës, duke e përshkruar atë si “një të çmendur” dhe akuzoi qeverinë për veprime arbitrare dhe sulm ndaj pushtetit lokal.
“Ajo që po bën Edi Rama është e rrezikshme, sjellja e tij. Hyn në mandatin e katërt dhe po tregohet jashtë mase i rrezikshëm, jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese. Po shemb pushtetin lokal, që është pushtet më vete… Është e vështirë t’i japësh një përgjigje vendimit të një të çmenduri për Thethin, se kjo s’është mendje normale!”
Ai kritikoi gjithashtu ndërhyrjet e Ramës në administratën lokale dhe e akuzoi atë për keqqeverisje, duke theksuar se vendimi për Thethin është i papranueshëm dhe përmban interesa të fshehta. “Ky shkërmoqi autoritetin e shtetit në Theth, e bëri bandë terroriste. Ata s’kanë rrugë tjetër veç Kanunit, Kanuni i ka mbajtur ata,” tha Ndoka.
Deklaratat e Ndokës vijojnë debatet e ashpra politike mbi mënyrën se si po menaxhohet situata në Theth, ku disa ndërtime pa leje po prishen me vendim të qeverisë.