Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë shkarkime të nënkryetarëve dhe administratorëve. Ai ka thënë se nuk ka pasur problem me performancën e stafit aktual, si dhe zona që ai drejton përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore.
“Nënkryetarët dhe administratorët janë të lëvizshëm, por unë deri tani nuk kam ndonjë konstatim që puna e tyre nuk ka qenë e duhura. Ishte një porosi e përgjithshme nga Rama, por jo të gjitha bashkitë kishin të njëjtin problem dhe ne si bashki nuk e kemi këtë problem,” tha ai.
Curri ka shprehur se fokusi i tij është garantimi i shërbimeve për banorët dhe është i gatshëm që të bashkëpunojë me qeverinë.
“Shpresojmë te mbështetja e qeverisë për dhënien e lejeve për parqet eolike dhe ato fotovoltaike për kompanitë e interesuara. Kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit të bashkisë, do të krijonte vende pune, do të zbutte varfërinë dhe do të siguronte të ardhura për bashkinë,” tha ai.