Samiti Ndërkombëtar mbi Ukrainën i mbajtur në Romë më 10/11 Korrik konfirmoi se rindërtimin i saj pas lufte do të kushtojë 850 miliardë Euro dhe se ky proces do të kërkojë plot 14 vite. Me praninë e 60 liderëve nga e gjithë bota ky Samit, i katërti pas atij të Berlinit vitin e kaluar dëshmoi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për këtë plagë të madhe të hapur në mes të Europës. Mirëpo, duke parë dinamikat në frontin e luftimeve paqja dhe rindërtimi tingëllojnë muzikë e bukur, por shumë larg realitetit, duke na kujtuar thënien e urtë “peshku në det, tigani në zjarr”.
Padyshim ngjarja dhe lajmi kryesor këtu ishte ultimatumi i datës 14 Korrik i Presidentit Trump gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte që brenda 50 ditëve të ardhshme Rusia të përfundojë marrëveshje armëpushimi me Ukrainën; ndryshe, SHBA-të do të zbatojnë tarifa importi 100 për qind ndaj mallrave ruse plus sanksione dytësore ndaj vendeve të treta që importojnë mallra nga Rusia.
Ky ultimatum u vlerësua me të drejtë si një kthesë madhore në qëndrimin amerikan dhe të Presidetit Trump ndaj Rusisë dhe Putinit. Për më tepër se ai u shoqërua me gatishmërinë amerikane për t’i dërguar Ukrainës sistemet e avancuara raketore “Patriot” dhe armatime të tjera, shpenzimet për të cilat do të përballohen nga vendet e NATO-s, sidomos Gjermania, e cila e ka filluar këtë proces. Ky qëndrim i ri amerikan u përshëndet nga gjithë komuniteti europian dhe vende të tjera që duan paqe në Ukrainë; edhe pse i shtrirë në kohë ai hedh hije dyshimi lidhur me zbatimin e tij. Kjo për shkak të hapësirës së madhe kohore që i është lënë në dispozicion Putinit dhe Rusisë, siç u shpreh dhe Shefja e Politikë së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Krahas vazhdimit, madje dhe më me ashpërsi të veprimeve luftarake në terren, siç dhe po bën, ultimatumi i le hapësirë të madhe kohore diplomacisë ruse dhe vetë Putinit për të menduar dhe hedhur hapat e mëtejshëm për demek një armëpushim të mundshëm, ama duke ia “hedhur topin” kundërshtartit dhe vetë SHBA-ve, siç ka bërë dhe më parë. Siç shtroi pyetjen retorike në një intervistë për televizionin gjerman më 14 Korrik, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko “Përse kjo vonesë”? kur gjatë asaj kohe nuk dihet se sa njerëz të tjerë do të vriten, sa godina dhe objekte do të shkatërrohen nga sulmet ruse? Dhe e fundit, duke njohur paparashikueshmërinë e Presidentit Trump dhe ndikimin e aktorëve/ faktorëve të lartpërmendur, askush nuk mund të ijë veprimet e ardhëshme të Presidentit Trump brenda këtyre 50 ditëve.
Gjithsesi, ultimatumi i Trumpit për Rusinë, ishte mesazhi shumëpritur për BE-në dhe Ukrainën. Ca më tepër se krahas halleve dhe telasheve brenda saj, ka mbi 40 muaj që Europa është në frikë dhe pasiguri për shkak kërcënimeve tanimë të konfirmuara ruse dhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s në pesë vitet e ardhëshme.
Për pasojë, vendet e BE-së kanë filuar dhe vijojnë me shpejtëssi të madhe përgatitjet intensive për riarmatimin e tyre dhe “europianizimin” e NATO-s, me qëllim që të jenë në gjendje të mbrohen në çdo situatë me por dhe pa ndihmën e SHBA-ve. Është krijuar kështu një një rebus i vërtetë gjeopolitik, të cilit askush në botë nuk ia di dhe nuk ia gjen dot as fillin dhe as fundin.
Më konkretisht, kur në Romë më 10 Korrik diskutohej për rindërtimin e Ukrainës dhe nevojat përkatëse, kur po kërkohet armëpushimi dhe paqja, dhe kur më 14 Korrik Presidenti Trump dha ultimatumin e lartpërmendur, Moska jo vetëm nuk tregoi ndonjë zbutje ose tërheqje, por ka ndërmarrë sulme të reja më të mëdha, në kuadrin dhe të një ofensivë të re masive ushtarake, me synimin për të zgjeruar më tej territoret që ka zaptuar dhe aneksuar, të cilat llogariten me 1/5 e territorit ukrainas.
Ndaj, në kuptimin Realpolitik, përpara se të flitet për rindërtimin e Ukrainës, duhet realizuar armëpushimi dhe pastaj paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme; por kjo është “më e lehtë në të thënë se në të bënë” për shkak të dallimeve anatagoniste midis Perëndimit dhe Rusisë. Sekretari i Shtetit Marco Rubio pas takimit me Lavrov me 10 Korrik tha se Rusia ka një ide të re, e cila nuk është paqja por që mund të çojë atje. Në fakt kjo është taktika dhe strategjia ruse, zgjat luftën, hidh ide në tregun politik, demek për t’u ulur në tryezë me persona jo vendimarrës, me teza të papranueshme për Ukrainën dhe njëkohësisht me vazhdimin e sulmeve dhe bombardimeve më të egra, se “kështu na paska vepruar dhe Bonaparti në kohën e vet”. Derisa, sipas rusëve, të zbulohen shkaqet e vërteta të konfliktit, të cilat sipas tyre qëndrojnë te pala ukrainase dhe të BE-ja, duke e ndarë artificialisht nga SHBA-të dhe Trump.
Tani vijmë te pyetja madhore si çelësi që na çon në zgjidhje reale gjithëpërfshirëse. Pra, cila është paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe cilat janë shanset e saj? Le ta përsërisim fort – kjo paqe nënkupton as më shumë dhe as më pak: tërheqjen e plotë të Rusisë nga territoret e pushtuara dhe të aneksuara më 2014 dhe pas agresionit të 24 Shkurtit 2022, zbatimin e parimit të Vetëvendosjes lidhur me përkatësinë e Ukrainës në BE dhe në NATO, i mishëruar dhe në Kartën e OKB-së dhe të OSBE-së dhe garancitë prej saj se nuk do të ndërmarrë më akte të tilla agresive. Dhe mbi të gjitha garancitë amerikane të sigurisë për Ukrainën, përfshirë dhe ato bërthamore.
Mirëpo, ndryshe nga Perëndimi, Moska kërkon një paqe “alla ruse” me plot ”JO” për Ukrainën – JO në NATO, JO në kufijtë e vitit 2014, JO me Ushtri, JO kështu dhe Jo ashtu. Mirëpo një paqe e tillë e rremë në fakt do të ishte pushtim, dorëzim dhe kapitullim i Ukrainës, i hapur ose i heshtur, pak rëndësi ka! Ose ndryshe kjo do të thotë, siç shprehet politikani dhe gjenerali i njohur gjerman Roderich Kieseëetter ”që Ukrainën t’ua hedhësh qenve”. Me një paqe të tillë me siguri që oreksi ekspansionist rus do të rritet më shumë, për ta gllabëruar gjithë Ukrainën, për të thyer kështu dhe vetë NATO-n.
Këtë e ka konfirmuar dhe Norbert Rőttgen, Zv.Kryetar i Grupit Parlamentar të CDU-CSU-së, ndër ekspertët më të mirë të politikës së jashtme dhe të sigurisë; ai thotë se Rusia dhe Putini duan të rikthejnë Perandorinë e dikurshme cariste apo sovjetike. Ukraina është stacioni i tyre i parë, pas të cilës ata nuk do të ndalen në synimin e tyre agresiv ». Kjo u pa dhe në Stamboll, ku ideologu i Putinit, Vladimir Medinski u tha bashkëbiseduesve ukrainas se Rusia kërkon aneksimin zyrtar të 4 rajoneve, ku ka shumicën nën kontroll, ndryshe, më vonë do kërkojnë 7 rajone!
Vetë Putin në mesazhin dhe telefonatën e 4 korrikut me Presidentin Trump dhe mbas ultimatumit amerikan të 14 korrikut u shpreh qartë se Rusia do të vazhdojë luftën deri në realizimin e piksynimeve të saj.
Ja pse paqja dhe armpushimi tani janë vetëm dëshirë e mirë e parealizueshme, nëse Rusia nuk mposhtet në fushën e luftës. Ca më tepër se për shkak dhe të doktrinës së re transaksionaliste të Presidentit Trump, e drejta ndërkombëtare, themeli i rendit të sotëm ndërkombëtar i krijuar më 1945 dhe i konsoliduar pas vitit 1989 është plasaritur dhe po shkon drejt shkërmoqjes; për t’u zëvendësuar me « të drejtën e forcës” dhe me ndarjen “në zona influence” ndërmjet 4 – 5 fuqive kryesore botërore si gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Nisur nga sa sipër, ka disa kohë që në korridoret e kancelarive, think tanke dhe banka të njohura me jehonë të gjerë ndërkombëtare përmendin dhe hedhin alternativa të ndryshme për paqen në Ukrainë, të ndryshme nga paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme që u përmend më lart, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, integritetin territorial të Ukrainës si shtet i pavarur; le ta themi troç se ato bëhen “nga halli dhe jo nga malli” për të shmangur të keqen më të madhe.
Në këtë kuadër, ndër tre skenarët kryesorë alternativë për Ukrainën pas armëpushimit, më i miri dhe më i mundshmi është ai sipas modelit të Koresë së Jugut. Zbatimi i këtij skenari do t’i krijonte mundësi Ukrainës të zhvillohej ekonomikisht, të kishte stabilitet dhe siguri, Perëndimi do ta mbështeste atë me me ndihma dhe investiem të mëdha ; shkurt, ajo do ta gëzonte paqen si Korea e Jugut dhe Kievi do të rrethohej nga aleatë europianë. Por natyrisht pa 1/5 e territorit të pushtuar nga Rusia. Kjo është e pashmangshme përderisa SHBA-të e pranuan madje dhe e shpallën publikisht këtë fakt, duke mos mbajtur qëndrime të prera nga pozita e dialogut dhe e forcës ndaj Moskës por “me kulaç” dhe duke i treguar “kërbaçin” Zelenskit, ndërsa Putinin e quante “njeri të mirë e të mençur”!. Ukraina pas një lufte vërtet heroike nuk ka ç’të bëjë më shumë vetëm me Europën dhe pa SHBA-në nga ana ushtarake, mbasi dhe për disa vite të tjera të paktën, Europa e ka të pamundur të kompensojë mungesën e mbështetjes dhe armatimit amerikan.
Gjithsesi, edhe realizimi i skenarit jugkorean kërkon si parakusht që të parandalohet ofensiva dhe rparimi i mëtejshëm rus, ndryshe oreksi i tij në tryezën e bisedimeve të paqes do të jetë akoma më i madh se 20 për qindshi i territorit të Ukrainës. Mirëpo, nëse dështon dhe skenari jugkorean, atëhere rreziku është që të zbatohet skenari i zi bjellorus dhe Kievi të kthehet në një satelit të Rusisë, duke humbur mbështetjen dhe përkatësinë perendimore. Për këtë të fundit, ky skenar do të ishte dështimi i tij fatal me pasoja të paparashikushme tragjike gjeopolitike.
Në këto situata të ndërlikuara, institucionet më të larta dhe liderët e BE-së europianë po mbajnë qëndrimet e duhura në koherencë, kohezion dhe konvergjencë me njeri tjetrin, me mesazhe solidariteti ndaj Kievit dhe në bashkëpunim me aleatë të tjerë. Me synimin madhor që BE-ja sa më shpejt të bëhet dhe një bashkim i madh mbrojtës me por dhe pa SHBA-në. Për këtë qëllim BE-ja dhe vendet e tij kryesore kanë ndërmarrë një sërë reformash madhore historike të cilat ia vlen t’i përmendim sërish shkurt.
Kështu, pas krijimit më 18 Mars të fondit gjigand prej 850 miliard Euro për mbrojtjen, më 27 Maj BE-ja miratoi fondin tjetër të huave të përbashkëta prej 150 Miliard Euro për mbrojtjen, ku do të ketë të drejtë të konkurojë dhe Britania e Madhe dhe disa vende te tjera aleate. Mirëpo, përdorimin dhe shfrytëzimin e këtij fondi bashkë me 5 për qind të GDP-së së secilit vend anëtar të NATO-s për të cilin u ra dakord në Samitin historik të Hagës më 15 Qershor nuk mund të shfrytëzohet me efektivitet veç e veç por në bashkëpunim të ngushtë me njeri tjetrin. Ndaj, më 19 Maj BE-ja nënshkroi në Londër me Britaninë e Madhe Marrëveshjen Strategjike me 24 pika, një kapitull i ri në marrëdhëniet e tyre, një “exit” nga BREXIT, plot 5 vjet mbas ” divorcit” të tyre”. Mbrojtja, siguria dhe shkëmbimi i të dhënave sekrete, prania e UK-së në takimet e Ministrave të Mbrojtjes dhe forume të tjera të rëndësishme janë komponentë jetikë në këtë fushë.
Në vijim, më 21 Maj BE-ja miratoi paketën e 17 të sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, ashtu siç bëri dhe Mbretëria e Bashkuar. Këtu vlen të theksohet se sanksionet kanë efekte të mëdha në dobësimin e ekonomisë ruse. Tjetër gjë se barrën e tyre Rusisë ia kanë lehtësuar ndjeshëm Kina, Irani dhe Korea e Veriut. Tani, nëse SHBA- të dhe pas skadimit të Ultimatumit do të vijojnë bashkëpunimin me Rusinë si miq dhe partnerë me sloganin “Ndryshim nëpërmjet tregtisë” (Change through trade) atëhere kjo do t’ia bëjë akoma më të lehtë punën Rusisë dhe do t’ia vështirësojë së tepërmi atë BE-së dhe Ukrainës. Ndaj, nëse nuk vendosen as sanksione dhe nuk i dërgohen ndihma ushtarake Kievit, atëhere BE-ja dhe vendet e saj më me peshë nuk mund të rrijnë duarkryq e të shohin kapitullimin e Ukrainës dhe bashkë me të vlerat dhe mbijetesën e vet!
Padyshim këtu rolin kryesor e ka marrë përsipër Gjermania, e cila ka hequr dorë përfundimisht nga pacifizmi, dhe ka shpallur objektivin madhor për t’u bërë shumë shpejt fuqia më e madhe ushtarake e BE-së dhe në krye të procesit të “Europianizimit” të NATO-s, që Europa dhe Gjermania të veprojnë e të mbrohen në çdo rast vetë, qoftë dhe pa ndihmën dhe mbështetjen amerikane.
Për këtë qëllim, Merz bëri ”revolucion” ende pa hyrë në zyrën e Kancelarit, duke ndryshuar më 18 Mars në konsensus me Social-demokratët dhe të Gjelbërit Kushtetutën gjermane, që frenimi i borxhit të mos bëhet pengesë për shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve për mbrojtjen. Qeveria miratoi fondin special për mbrojtjen prej 500 Miliard Euro. Po ky buxhet u miratua dhe për modernizimin e infrastrukturës së vendit.
Gjermania po ashtu po intensifikon përpjekjet për rivënien në punë të industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimin e Bundesvehrit, me qëllim që të bëhet së shpejti fuqia më e madhe ushtarake në Europë. Gjithashtu, më 20 Maj Kancelari Merz dhe Ministri i Mbrojtjes Pistorius shkuan në Lituani ku takuan efektivët e Brigadës së 5-të të tankeve në kufi me Rusinë, e para njësi ushtarake gjermane jashtë vendit qysh nga viti 1945.
Ndërkohë, më 26 Maj Kancelari Merz bëri njoftimin e rëndësishëm se Kievi mund t’i përdorë armët europiane me rreze të gjatë veprimi për të goditur dhe brenda territorit rus.
Ndryshe nga paraardhësi i tij Scholz, i cili priti plot 444 ditë për të shkuar në Kiev, Merz udhëtoi atje bashkë me Macron, Starmer dhe Tusk qysh në javën e parë të punës. Po ashtu, më 28 Maj, në ditën e tij të 22 si Kancelar priti në Berlin Presidentin Zelenski, duke premtuar financimin e Ukrainës për prodhimin në vend të raketave me rreze të gjatë veprimi, etj. Në fillim të korrikut Merz bëri njoftimin e madh se do të blinte nga SHBA-të sistemet raketore “Patriot” për t’ia dorëzuar Ukrainës, një masë tjetër e rëndësishme për të fuqizuar veprimet luftarake ukrainase, çka ndijkoi dhe në vendimin e Presidentit Trump. Kjo u konfirmua dhe më 14 korrik gjatë takimit të Ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius në Uashington. Po aq e rëndësishme është marrëveshja franko-britanike e dats 10 korrik midis Kryeministrit Starmer dhe Presidentit francez Macron mbi garancitë e ndërsjella për mbrojtjen e tyre bërthamore. Në vijim, më 17 Korrik, Kancelari Merz nënshkroi në Londër me homologun britanik Keir Starmer Traktatin e Miqësisë midis dy vedneve ku ndihma dhe mbështetja e ndërsjellë në fushën e mbrojtjes përbën thelbin e saj.
Megjithatë, Europa është ende në fillimet e veta; ajo ka shumë mungesa, pengesa dhe sidomos vonesa të shkaktuara nga politikat zbutëse të 15 viteve të fundit ku mbrotjtja u la “prapa liste” apo dhe më keq akoma. Problemi tjetër i madh është te diferenca që kane vendet e BE-së me Rusinë dhe koha e gjatë që duhet për të kapur nivelet e Rusisë dhe të SHBA-ve. Kështu, Rusia ka 36 herë më shumë tanke se Britania, Franca, Gjermania dhe Polonia të marra së bashku, 30 herë më shumë makina të blinduara, 3 herë më shumë sisteme artilerie ; buxheti i saj 400 milard Euro është më i madh se të katër ato vende. Ndërkohë, Rusia përgatit 200.000 trupa në vit, ndërsa Gjermania ka vështirësi të mdha dhe për rekrutimin e 60.000 trupâve që i duhen për të kapur shifrë e duhur prej 240.000 trupa.
Problemi tjetër i madh është se rivënia në punë e industrisë së fuqishme ushtarake perendimore si ajo gjermane dhe britanike kërkon vite të tëra. Kjo mbasi ajo është “ndryshkur” në 30 vitet e fundit, si pasojë e neglizhimit të lidershipeve europiane, të cilat ndoqën gabimisht dhe me naivitet politik diplomacinë zbutëse ndaj Rusisë, për të përfituar dividentin e paqes falë tarifave të lira të gazit dhe energjisë; kur Rusia e përdori energjinë si armë kundër Perëndimit, duke shtuar në kulm varësinë e atyre vendeve ndaj Rusisë.
Për këto arsye, BE-ja po organizohet, po risheh rregullat dhe procedurat e shumta, në mënyrë që industria e tyre ushtarake të rivihet në funksion të plotë, jo më për 10 por brenda dy viteve.
Për këtë qëllim është shtuar bashkëpunimi mes vendeve anëtare me Londrën dhe Ankaranë brenda kontientit por dhe me Kanadanë, Japoninë dhe vendet të tjera më të largëta.
Ndërmjet të tjerash, Franca planifikon të ndërtojë deri në vitin 2038 një aeroplanmbajtëse të re bërthamore, më të madhe dhe më moderne se Charles de Gol. Ajo do të jetë 310 metra e gjatë nga 265 e tanishja dhe do të peshojë 78.000 nga 49.000 tonë që është Charles de Gol. Edhe Turqia planifikon të ndërtojë aeroplanmbajtësen më të madhe në Europë, ashtu si dhe Italia. Kjo për rëndësinë që kanë sot aeroplambajtëset bërthamore, të cilat siç thoshte Kisingeri për nga pesha e tyre « një aeroplanmbajtëse është sa 100.000 ton diplomaci»
Gjithsesi çështja është te qëndrimi i SHBA-ve tani dhe në të ardhmen lidhur me zbatimin e Nenit 5 të Traktatit të NATO-s mbi mbrojtjen kolektive dhe premtimin që u dha nga Presidenti Trump në Samitin e NATO-s më 24/25 Qershor. Kjo mbasi siç pohojnë disa ekspertë, nëse nuk do të zbatonte ultimatumin amerikan për të dhënë 5 për qind të GDP-së për NATON, në rastin e një sulmi ndaj një anëtari të NATO-s, SHBA-të do të hezitonin, duke treguar interesat dhe shqetësimet e tyre gjeopolitike në Pacifik. Por dhe tani që në Samitin e NATO-s më 15 Qershor ato ranë dakord për këtë 5 për qind, sërish SHBA-të mund t’i shmangen zbatimit të Nenit 5 me justifikimin se tani ato mund të mbrohen vetë ! Ose mund të dërgonin disa ndihma simbolike sa për të larë gojën dhe për të qenë brenda me atë Nen.