Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviç. Ai dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Avokati i tij, Ljubomir Pantoviç, tha se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të Themelores. Popoviç u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.