E mërkurë u mbyll me një bilanc të frikshëm, 5 viktima dhe disa të plagosur nga aksidentet. Dy persona humbën tragjikisht jetën në Bulqizë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur, pasi makina me të cilën lëviznin doli nga rruga në vendin e quajtur “Antena” pranë qafës së Buallit të Bulqizës.
Rreth një orë më vonë një tjetër aksident i mori jetën një gruaje në fshatin Hotesh të Dibrës. Viktima u përplas aksidentalisht nga bashkëshorti i saj i cili humbi kontrollin e automjetit teksa parkonte makinën.
Ngjarje të tilla aksidentale i morën jetën dhe një vajze vetëm 4 vjeçe në Krujë, ku shkaktar fatkeqësisht ishte babai i saj. Në mbrëmje nga përplasja e dy automjeteve në autostradën Lezhë-Shkodër një person humbi jetën dhe 4 u plagosën.