Ditën e sotme ambasdorët e huaj morën pjesë në Kuvendin e Kosovës me shpresën se do të arrihej konstituimi. Ambasadori i BE-së, Aivo Orav u shpreh i zhgënjyer nga kjo situatë dhe u kërkoj partive që të gjejnë zgjidhje e të krijojnë qeverinë e re.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, Jord Rohde u shpreh se “Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”.
Ndërsa ambasadori britanik Jonathan Hargreaves me anë të një postimi në rrjete sociale kërkoi nga partitë që të gjejnë një rrugëdalje deri të shtunën.
“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se nesër të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime vendimtare dhe ndërkombëtare, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha ai.








